Në hapësirën gjeografike ku shtrihet bashkia e Librazhdit ndodhen disa shpella, por ndër më të famshmen ndër to librazhdasit përmendin “Shpellën e Plakës”, e cila ndodhet shumë pranë rrugës së famshme “Egnatia”, aty ku përroi i “Gurrës së Zezë” ndan mes tyre fshatin Xhyrë nga fshati Dardhë.

Kjo shpellë ndodhet disa qindra metra mbi nivelin e detit dhe rruga për të shkuar aty nga “Egnatia” deri pak javë më parë ka qenë jashtëzakonisht e vështirë dhe për këtë arsye ajo ka qenë pothuajse e pa eksploruar.

Kjo shpellë sipas banorëve të Xhyrës mban të ruajtura të fshehtat dhe misteret e saj prej mijëra vitesh dhe ende sot e kësaj dite qarkullojnë legjenda nga më të ndryshme rreth saj.

Është e çuditshme që kjo shpellë deri tani është vizituar vetëm nga aventurierët dhe barinjtë e zonës dhe jo nga speleologët.

Vizitorët e shumë viteve më parë kanë treguar se brenda “tunelit” që të çon te “Shpella e Plakës” janë gjetur veglave pune primitive dhe mbetje të enëve prej qeramike gjë e cila ka shtuar interesin për këtë shpellë  nga ana e banorëve.

Por për arsye që nuk dihen akoma, mjaft gjurmë të historisë së vërtetë të kësaj shpelle që natyra i kishte krijuar prej mijëra vjetësh janë mbuluar nga koha.

Rruga e hapur gjatë fundit të Pranverës së këtij viti prej banorëve të Xhyrës me iniciativën e tyre për të shkuar atje është e shkurtër dhe i ngjan një “shtegu dhish” që kalon përmes një masivi të dendur shkurresh dhe tashmë për pak kohë  mund të mbërrish aty. Tani ajo është zgjeruar aq sa është e kalueshme edhe në vendet e vështira të cilat janë sheshuar duke e bërë më pak të rrezikshme dhe më të lehtë udhëtimin dhe të shijuarit e pamjes së papërsëritshme të luginës së përroit të “Gurrës së Zezë” që të bën për vete aq shumë sa të merr edhe mendjen.

Së fundi pas hapjes së këtij shtegu kanë vërshuar vizitorët drejt “Shpellës së Plakës”.

Pjesa dërrmuese e tyre janë banorë të zonës, por nuk mungojnë as të tjerë që udhëtojnë drejt Xhyrës edhe nga Elbasani, Tirana, Durrësi e gjetkë. Hyrja në “Shpellën e Plakës” fillimisht nuk është shumë impresionuese dhe pasi ke kaluar pragun e saj duhet të ndezësh elektrikët e dorës dhe duhet të ecësh me kujdes në të pasi mund të përplasësh kokën në tavanin e shpellës në disa vende ku lartësia e saj ulet dhe nga momenti në moment mund të rrezikosh.

Nga hyrja deri në daljen e saj udhëtimi i aventurës zgjat vetëm disa minuta dhe pas  ankthit në hyrje vjen relaksimi në daljen e saj nga ku mahnitesh me pamjen përrallore që të ofrohet në të gjitha drejtimet. Nga dritarja e kësaj shpelle mund të shohësh mjaft qartë edhe shumicën e fshatrave të Librazhdit si edhe një pjesë të Parkut Kombëtar Shebenik Jabllanicë. Duke vlerësuar bukuritë e shumta natyrore  të Xhyrës, banorët e këtij fshati krahas promovimit që po u bëjnë  kohë pas kohe   atyre synojnë që duke e bërë të vizitueshme “Shpellën e Plakës”, të nxisin edhe më shumë zhvillimin e turizmit në fshatin e tyre.

Në Shqipëri ka potenciale të pasura për zhvillimin e kësaj industrie fitimprurëse, por ende mjaft destinacione janë të fjetura, të përgjumura ose të pashfrytëzuara. Murat Laçka, mjek veteriner i fshatit Xhyrë, tregon se ku fshat  ka potenciale të shumta për zhvillimin e turizmit. Ai ka kontribuar së bashku me dhjetëra bashkëfshatarë të tij në hapjen e shtegut që të çon te “Shpella e Plakës” dhe shpjegon se emrin kjo shpellë  e ka marrë nga Legjenda. Ndërsa të apasionuarit pas turizmit shprehen se mrekulli të tilla ia vlen të promovohen e vizitohen nga të gjithë.

Xhevdet Muzhaqi një i apasionuar pas turizmit të aventurës shprehet se i vjen keq që neglizhohen pasuri të tilla natyrore. Vizitat në shpella sipas tij janë një pjesë e turizmit natyror ose “ekoturizmit”, që me zhvillimin e tij të vazhdueshëm ka potencial të tërheqë turistët dhe e diversifikon modelin turistik, duke rritur popullaritetin e tij.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Shpellat sipas turistëve janë të rëndësishme për industrinë e turizmit, sepse është një formë që po zhvillohet me shpejtësi në vendet në zhvillim, ku çdo vit vizitohen qindra shpella të cilat  janë bërë tashmë një burim natyror kompleks në tregun e turizmit të shumë vendeve.

Ndërgjegjësimi për kthimin e shpellave në një burim të turizmit natyror i kapërcen kufijtë e thjeshtë ekonomikë.

Zhvillimi i turizmit të shpellave në vendin tonë do të promovojë dhe do të forcojë mirëqenien ekonomike të komunitetit pritës, si dhe do të krijojë një mjet shtesë për ruajtjen e mjedisit. Në Shqipëri ka një numër të madh shpellash me potenciale të pasura për zhvillimin e turizmit, por pjesa më e madhe e tyre kanë mbetur në sfond pa i konsideruar si mundësi të përdorimit për turizëm aventure. Sipas Artur Gunit, Drejtues i “Albanian Sport & Tourism AST”, rritja e atraktivitetit të turizmit të shpellave në Shqipëri mund të ndikojë edhe në uljen e shkallës së varfërisë në komunitetet lokale.

Ai e vlerëson me superlativa përpjekjen e komunitetit të Xhyrës për promovimin e monumenteve  të natyrës, monumenteve arkeologjike ,të florës, faunës, të kulinarisë, të burimeve ujore, të historisë, traditave, kulturës, zakoneve dhe gjithçka tjetër që nxit dhe zhvillon turizmin e kësaj zone mjaft të bukur në çdo aspekt.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb