Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se kishte hequr dorë nga padia për revistën austriake ‘Kronen Zeitung’ që e kishte akuzuar për lobim dhe korrupsion për arsye ekonomike.

Në një intervistë për Euronews Albania nga Jala, Meta tregoi se kompani që merren me çështjet e shpifjeve të mediave në Austri, e kishin sugjeruar të hiqte dorë pasi shpërblimi do të ishte shumë modest ndërsa shpenzimet kolosale.

“Mund t’ju them se kjo gjë mu vlerësua e panevojshme dhe jo produktive nga disa kompani që merren me shpifje. Padyshim që gjyqi ishte i fituar. Për shkak të ligjeve austriake, kompensimi do ishte i përmasave modeste ndërkohë që shpenzimet për ndjekjen e këtij gjyqi ishin të larta dhe për efekt për transparencën, nuk ia vlente. 300 euro ora për një studio ligjore. Ishte një gjë e panevojshme, gazeta vetëm ka prodhuar shpifje. Këto padyshim që vijnë për shkak se të kërkuarit janë në Vienë”, tha ai.

Ndërkohë, Halit Valterin i cili depozitoi një kallëzim në SPAK për çështjen e lobimit, Meta tha se ai ka udhëtuar shumë shpesh drejt Vienës, çka lë të nënkuptohet se i gjithë artikulli mund të ishte një stisje.

“Ai që ka bërë kallëzimin, herë pas here ka qenë në Vienë. Nuk kemi ndërmend të harxhojmë energji të kota me regjimin e inceneeratorëve”, tha kreu i PL.

Pyetjes se nëse është një mundësi hetimi i SPAK për t’i dhënë përgjigje gazetës austriake, ai tha: Ajo dihet si gazetë që prodhon skandale. Kishte një rekomandim nga miqtë e mi austriakë që nuk ia vlen të merresh me një gazetë që prodhon skandale dhe aludime të ndryshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb