Shpenzimet ushtarake globale u rritën përsëri në vitin 2021 duke vendosur rekorde të reja, ndërsa Rusia vazhdon agresionin kundër Ukrainës.

”Pavarësisht pasojave ekonomike nga pandemia Covid-19, shpenzimet ushtarake globale u rritën me 0,7% vitin e kaluar”, sipas raportit të Institutit Ndërkombëtar të Kërkimit të Paqes në Stokholm (SIPRI).

“Në vitin 2021, shpenzimet ushtarake u rritën për të shtatën vit radhazi duke arritur në 2,1 trilionë dollarë. Kjo është shifra më e lartë që kemi regjistruar ndonjëherë”, tha studiuesi Diego Lopes da Silva.

Shpenzimet e Rusisë u rritën me 2,9%, për të tretin vit radhazi, në 65,9 miliardë dollarë.

”Shpenzimet ushtarake ruse përbënin 4,1% të PBB-së së vendit, një nivel shumë më i lartë se mesatarja botërore”, shtoi ai.

Të ardhurat nga eksportet e naftës dhe gazit i lejuan vendit të financonte këto shpenzime të mëdha ushtarake.

”Është e vështirë të parashikohet nëse Rusia do të jetë në gjendje të mbajë këtë nivel shpenzimesh”, Lopes da Silva.

Nga ana tjetër, shpenzimet ushtarake të Ukrainës janë rritur me 72% që nga aneksimi i Krimesë.

Edhe pse këto shpenzime janë ulur me më shumë se 8% në vitin 2021 për të arritur në 5,9 miliardë dollarë, ato përsëri përfaqësojnë 3,2% të PBB-së së vendit.

Me rritjen e tensioneve në Evropë, edhe vendet anëtare të NATO-s rritën shpenzimet e tyre.

Vitin e kaluar, tetë anëtarë të aleancës arritën objektivin e tyre prej 2% të PBB-së kushtuar buxhetit ushtarak.

Lopes da Silva tha se pret që shpenzimet ushtarake të vazhdojnë të rriten.

Gjatë dekadës së fundit, shpenzimet e SHBA për kërkimin dhe zhvillimin janë rritur me 24%, ndërsa blerjet e armëve kanë rënë me 6,4%.

“Qeveria amerikane ka theksuar vazhdimisht nevojën për të ruajtur avantazhin teknologjik të ushtrisë amerikane ndaj konkurrentëve të saj strategjikë”, tha Alexandra Marksteiner, një tjetër studiuese e SIPRI-t.

Kina, shpenzuesja e dytë më i madhe ushtarake në botë me rreth 293 miliardë dollarë, rriti shpenzimet me 4,7 për qind, duke shënuar vitin e 27-të radhazi të rritjes së shpenzimeve.

Forcimi i aftësive ushtarake kineze i ka shtyrë fqinjët e saj rajonalë që nga ana e tyre të rrisin buxhetet e tyre ushtarake.

Japonia shpenzoi shtatë miliardë dollarë, një rritje prej 7,3%, rritja më e madhe vjetore që nga viti 1972.

Australia gjithashtu shpenzoi 4% më shumë për ushtrinë e saj, duke arritur në 31,8 miliardë dollarë në 2021.

India, shpenzuesja e tretë më e madhe në botë me 76,6 miliardë dollarë, gjithashtu rriti financimin e saj në 2021.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb