Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, foli nga foltorja e Kuvendit për administrimin e zgjedhjeve në Shqipëri, duke thënë se ka drejtuar një Reformë Zgjedhore në një klimë të vështirë politike, që për herë të parë u shkrua e gjitha nga opozita shqiptare.

Me akuza ndaj opozitës, Gjiknuri u shpreh se në kulmin e pandemisë u shpenzuan 15-16 milionë euro për këtë reformë, vetëm e vetëm, sipas tij, “për të kuruar frikërat e një njeriu, që kishte frikë të hynte në zgjedhje dhe që i bojkotoi zgjedhjet vetëm nga frika se nuk donte të ballafaqohej me njerëzit e tij, pasi të dilte rezultati”.

“Të mos harrojmë që problemi që vinte nga KQZ në shumë zgjedhje të kaluara, ka qenë problem themelor. Fakti që tani e quajmë rutinë burokratike, është një sukses për mbajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri, por edhe për KQZ. Kjo është e vërteta.

Problemi më i madh me zgjedhjet në Shqipëri ka qenë jo administrimi i tyre, por ajo që quhet kultura demokratike e pranimit të humbjes, shpëtimi i kokës së liderit, kur humbet partia dhe shpikjet apo abuzimet me zgjedhje, që fatkeqësisht e kanë futur Shqipërinë në cikle krizash të pamerituara. Nuk vijnë ndërkombëtarët e shpikin kushte, por ne shqiptarët e bëjmë, duke ngritur probleme që nuk ekzistojnë. Në këtë rast evident kanë qenë veprimet e opozitës për të justifikuar humbjet e saj, që ktheheshin gjoja në kushte.

Megjithatë, unë kam kënaqësinë që kam drejtuar në një klimë të vështirë politike, më 2020, një reformë zgjedhore, që për herë të parë u shkrua nga A te ZH nga opozita shqiptare, madje u investuan miliona për të kuruar frikërat e opozitës. Pra, ky vend i varfër, në kulmin e pandemisë, shpenzoi 15-16 milionë euro vetëm për të kuruar frikërat e një njeriu, që kishte frikë të hynte në zgjedhje dhe që i bojkotoi zgjedhjet vetëm nga frika se nuk donte të ballafaqohej me njerëzit e tij, pasi të dilte rezultati.

Procesi i administrimit zgjedhor nuk pati asnjë problem dhe për herë të parë nuk morëm asnjë akuzë për drejtimin e komisionit. Ky investim i bërë me miliona euro duhet të na çojë në një hap tjetër të reformës zgjedhore. Mendoj se ka ardhur koha të adresojmë shumë çështje, si atë të komisionerëve. Ne e pamë që PD nuk gjente komisionerë. Pse të mos heqim dorë nga komisionerët? Ne e kemi një model gati, i shkruar nga ekspertë të opozitës, dhe them ta miratojmë. Pse të mos heqim dorë nga numërimi i përqendruar? Mendoj se ka ardhur momenti, sidomos me përfshirjen e teknologjisë”, tha Gjiknuri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb