TIRANE- Brenda muajit dhjetor, rreth 600 mijë pensionistë në të gjithë vendin do të tërheqin shpërblimet për festat e fundvitit. Qeveria miraton sot vendimin për ndarjen e shpërblimeve, ku në fuqi mbetet skema e vitit të kaluar.
Grupi i punës në Ministrinë e Financave ka llogaritur fondet për përfitim shpërblimi në masën 3 mijë lekë për pensionistët kryefamiljarë dhe 2 mijë lekë për pensionistët e tjerë.

Edhe për këtë vit, masa e shpërblimit është llogaritur mbi kushtin e të qenit familjar apo jo. Një tjetër variant i diskutuar nga grupi i punës te Financat ka qenë dhënia e shpërblimit në masën 2 mijë lekë për të gjithë pensionistët, shkruan “Panorama”. Qeveria do të ketë në dorë disa propozime, por llogaritjet e Financave janë bërë mbi skemën e vjetshme. Fondi i kontigjencës do të përdoret nga qeveria për shpërblimet e pensionistëve.

Përfitues do të jenë rreth 600 mijë pensionistë në të gjithë vendin. Sipas ndarjes, 88 mijë familje pensionistësh do të përfitojnë 5 mijë lekë shpërblim, ku 3 mijë lekë përfiton kryefamiljari dhe 2 mijë lekë përfiton bashkëshortja e tij.
Edhe në rastet kur kryefamiljari jeton i vetëm, masa e shpërblimit do të jetë 3 mijë lekë. Kjo kategori merr edhe 640 lekë kompensim për energjinë elektrike, e cila u shpërndahet prej vitesh.

Për pensionistët e tjerë, masa e shpërblimit llogaritet në vlerën 2 mijë lekë. Përfitues të kësaj mase shpërblimi janë pensionistët që marrin pension urban, invaliditeti dhe familjar. Është dhe kategoria tjetër përfituese, ajo e pensionistëve që marrin pension fshati, apo pensione të parakohshme vjetërsie, ish­-minatorët.

Në skemë janë përcaktuar që ish­të përndjekurit mbi 65 vjeç dhe veteranët e luftës të shpërblehen për festat e fundvitit me 5 mijë lekë shpërblim. Një tjetër kategori përfituese do të jenë edhe personat me aftësi të kufizuara. Masa e shpërblimit për këtë kategori do të jetë 3 mijë lekë.

Shpërndarja e shpërblimeve do të kryhet nëpërmjet sporteleve të postës, ku edhe tërhiqet pensioni.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb