Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) në kuadër të monitorimit të procesit parazgjedhor për zgjedhjet lokale të 14 majit i është drejtuar sërish KQZ-së me një denoncim për shpërdorimin e burimeve publike në funksion të fushatës zgjedhore.

Më specifikisht, pas një sinjalizimi anonim nga një qytetar, KShH u vu në dijeni se Zyra Vendore Arsimore e Qarkut Korҫë, por jo vetëm, nëpërmjet një tabele Excel, kanë kërkuar nga shkollat e mesme dhe 9-vjeçare të qarkut përkatës, informacion në lidhje me veprimtaritë e adresave zyrtare në rrjete sociale të këtyre institucioneve arsimore, ndër të tjera edhe informacion mbi numrin e ri-postimeve që adresat zyrtare të shkollave kanë realizuar nga postimet e profilit të Ministres së Arsimit dhe Sporteve.

KShH u angazhua për të hetuar më tej mbi këtë çështje duke identifikuar një numër të lartë ri-postimesh nga ana e disa ZVA-ve, që kanë në juridiksion institucionet arsimore parauniversitare në Korҫë, Maminas, Dibër, Kamëz, etj, nga ku u vërejt se ishin ri-postuar prej tyre postime të profilit personal të Ministres së Arsimit dhe Sporteve, edhe në rastet kur në profilin e saj ishin postuar veprimtari haptazi në favor të fushatës zgjedhore dhe mbështetjes së kandidatëve të caktuar për kryetar bashkie.

Këto prova ju vunë në dispozicion Komisionerit në seancën publike të ditës së sotme, pjesë e të cilës ishin edhe përfaqësues të institucioneve të përfshira.

Pas parashtrimeve të KShH, Komisioneri vlerësoi se në rastin konkret ndodhemi përpara një shkelje administrative të Kodit Zgjedhor si dhe konkludoi se duke qenë se profilet personale të zyrtarëve publik në vendin tonë, siç janë ministrat, përdoren edhe për qëllime të fushatës zgjedhore dhe jo vetëm promovimin e punës së institucioneve që ata përfaqësojnë, KQZ do të urdhërojë që të ndalohet ri-postimi i aktivitetit në rrjete sociale i profilit personal të çdo Ministri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb