TROPOJE – Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tropojë dërgon për gjykim 8 shtetas, ndër të 6 janë zyrtarë, përfshirë edhe kryetarin e komunës Tropojë e Vjetër, si edhe 2 të tjerë që janë përfaqësues të një subjekti privat, të akuzuar për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës”, dhe ”Falsifikim të dokumenteve”.

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria ka marrë të pandehur shtetasit:

Ram Kërtoçi, kryetar i komunës Tropojë e vjetër
Haki Nezaj, nënkryetar, komuna Tropojë e vjetër
Man Malaj, shef i Financës, komuna Tropojë e vjetër
Zeqir Hykaj, teknik ndërtimi, komuna Tropojë e vjetër
Resmi Mulaj, sekretar, komuna Tropojë e vjetër
Fitim Peci, sektori i Pyjeve, Komuna Tropojë e Vjetër
Sami Isufi, administrator i firmës “Besimi”
Ukë Kortoçi, punonjës i firmës “Besimi”

Fillimisht, ndaj këtyre personave, hetimi është zhvilluar nën masën e sigurisë “arrest në burg”, të cilat janë ekzekutuar në mars të vitit 2014. Më pas, gjykata vendosi të zbusë masat e sigurisë dhe hetimi i prokurorisë ndaj këtyre personave ka vijuar me masat “garanci pasurore” apo në gjendje të lirë.

Nga hetimet e prokurorisë, ka rezultuar se zyrtarët lokalë, kanë kryer pagesat e plota për llogari të shoqërisë “Besimi”, duke i konsideruar 6 punime infrastrukturore të përfunduara, ndërkohë që nga verifikimi në terren rezulton se këto punime nuk kanë filluar ose nuk kanë përfunduar. Pagesat për shoqërinë “Besimi”, e cila ka fituar tenderin për këto punime, janë kryer duke falsifikuar dokumentet dhe me shpërdorim detyre.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb