NGA MIRA BREGU*

Europa nuk mund të injorojë përgjegjësinë e saj për emigrantët dhe t’ia hedhë peshën Turqisë”, – deklaroi Raportuesi Special i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e emigrantëve, François Crepeau.
Eksperti i të drejtave të njeriut foli gjatë zhvillimeve të Samitit të Migracionit të Bashkimit Evropian më 17-18 mars, ku krerët e bllokut të 28 vendeve po diskutonin marrëveshjen e re me Turqinë, për të marrë përsëri të gjithë emigrantët që kalojnë në mënyrë të parregullt në Greqi, duke përfshirë edhe refugjatët.

“Shtetet anëtare europiane një herë përgjegjëse për hartimin e këtij legjislacioni të rëndësishëm për të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen humanitare, janë gati të braktisin detyrimet e tyre. Në mes të krizës më të madhe të migrimit në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, ata janë duke e kaluar përgjegjësinë e tyre në një vend të tretë për motive politike”, – analizoi eksperti i OKB-së, i cili iu referua raportit të 2015-ës, mbi të drejtat e emigrantëve në menaxhimin e kufijve të jashtëm të BE-së.
“Jam thellësisht i shqetësuar në lidhje me propozimet e tryezës, sepse ato përfshijnë dëbimet masive të emigrantëve pa vlerësimet e duhura të veçanta dhe procedurat e azilit, në kundërshtim të drejtpërdrejtë të ligjeve ndërkombëtare dhe europiane për të drejtat e njeriut, të cilat ruajnë parimin e moskthimit”, – tha z. Crepeau.

“Bërja e Turqisë si portë kryesore nuk e liron Europën nga përgjegjësia e saj në mikpritjen e emigrantëve. E vetmja mënyrë që Europa të sigurojë kufijtë e saj është që të ofrojë kanale të sigurta dhe të rregullta për lëvizshmërinë”, – u shpreh ai.

Z. Crepeau paralajmëroi se rritja e sigurisë dhe mbyllja e kufijve, vetëm do të rrisë vuajtjet e emigrantëve, duke i nxitur ata të marrin udhëtime edhe më të rrezikshme me kontrabandistët.
“Unë kam deklaruar në mënyrë të përsëritur se e vetmja mënyrë për të reduktuar kontrabandën e migrantëve është mbizotërimi i tregut duke ofruar zgjidhje të rregullta, lëvizshmëri të sigurt dhe të lirë, me të gjitha identitetet dhe kontrollet e sigurisë, që mund të ofrojnë procedura efikase për viza”, – këmbënguli ai.

“Për shembull, zhvendosja e gjysmë milioni refugjatësh në vit për gjashtë vjet direkt nga vendet e tranzitit, nëse shpërndahet siç duhet, do të rezultojë në një numër krejt të menaxhueshëm për BE-në. Për Gjermaninë, kjo do të paraqiste 80.000, më pak se 10% prej figurave të përdorura në vitin e kaluar”, – vuri në dukje eksperti.

Sipas mendimit të tij, “ky program i rregullt i risistemimit do të ketë avantazhin e shtuar për t’i treguar elektoratit europian që numra të tillë janë plotësisht të menaxhueshëm dhe nuk rezultojnë në kaos, dhunë, vuajtje dhe vdekje aq të shpeshta, sipas të gjitha lajmeve në vitet e fundit. Kjo gjithashtu do të ndihmojë liderët, politikën evropiane për të zhvilluar diskutimet ndaj pro-lëvizshmërisë dhe pro-diversitetit, të cilat kanë qenë me siguri mungesë në vitet e fundit… ku vetëm mund të luftojnë anti-emigracionin dominues nacionalist”.

Z. Crepeau gjithashtu theksoi faktin se shtetet e vijës së frontit, si Greqia, vazhdojnë të mbeten pa përkrahjen e duhur. Ai tha se mbyllja e kufirit me Greqinë, do të lërë vetëm Athinën për të menaxhuar një numër të madh emigrantësh, kur ajo nuk është përgjegjëse as për dhunën dhe varfërinë që i shtyn ata për të ikur, as për joshjen e vendeve të punës në dispozicion të ekonomisë veriore evropiane.
“Një vend që tashmë lufton për t’u kujdesur për një numër të tillë emigrantësh pa asnjë mbështetje kuptimplotë nga vendet e tjera evropiane”, – theksoi ai.

“Kjo barrë duhet të ndahet nga të gjitha 28 shtetet e BE-së, duhet të jetë e detyrueshme që vendet e BE-së të zhvendosin vetë njerëzit ose të mbështesin financiarisht shtetet të cilat janë duke u marrë me azilkërkuesit”, – – u shpreh z. Crepeau.

Eksperti shprehu shqetësimin në lidhje me raportet e dhunës kundër emigrantëve duke u përpjekur për të kaluar në shtetet europiane. Disa janë përballur me sulme verbale, sulme fizike dhe konfiskimet e sendeve të tyre ose të shpronësuar nga zyrtarët e zbatimit të ligjit.

Z. Crepeau tha se ai është shumë i shqetësuar në lidhje me disa shtete europiane që pengojnë emigrantët të hyjnë në një vend, duke u bazuar vetëm në kombësinë e tyre.

“Këto veprime janë një mospërfillje e plotë për dinjitetin njerëzor, e cila është në qendër të të gjitha të drejtave të njeriut. Disa shtete europiane kanë shkelur tashmë detyrimet e tyre ndërkombëtare dhe rajonale të të drejtave të njeriut në këtë drejtim”, – theksoi ai.
“Unë u bëj thirrje të gjitha shteteve europiane për të adresuar këtë sfidë urgjente nëpërmjet një procesi të përbashkët dhe të mirëkoordinuar. Evropa tani duhet të tregojë se të drejtat e njeriut kanë ende rëndësi – veçanërisht gjatë një kohe krize – dhe vlen për të gjithë, pa marrë parasysh statusin e tyre”, – përfundoi Raportuesi Special.
Nga OKB – Gjenevë

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: