TIRANË

Policia e Tiranës ka goditur dy raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza. Katër persona nga 16 deri në 22 vjeç janë arrestuar, ndërsa pesë të tjerë janë proceduar penalisht për “Moskallëzim krimi” në kuadër të operacionit policor të koduar “Bulevardi”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale në DVP Tiranë dhe Patrullat e Përgjithshme.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve kishte marrë informacione në rrugë operative se disa persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin shpërndanin lëndë narkotike në formë dozash në zonën e Bulevardit të ri, Babrroit dhe në rrugën dytësore në autostradë.

Mbi bazën e këtyre informacioneve Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale në DVP Tiranë dhe Patrullat e Përgjithshme zhvilloi operacionin policor të koduar “Bulevardi”, gjatë të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

F. T., 22 vjeç, A. C., 16 vjeç, dhe E. D., 18 vjeç, banues në Tiranë, të cilit u kapën në flagrancë me doza lënde narkotike të dyshuar kanabis. Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë për “Moskallëzim krimi” dhe 2 shtetas.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e shtetasve të arrestuar u gjetë dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale: 301 doza me lëndë narkotike të dyshuar kanabis, dorezë metalike, fishekë luftarakë dhe 1 pistoletë lodër.

Po në vijim të operacionit u arrestua në flagrancë dhe një tjetër shtetas, L. F., 19 vjeç, pasi në rrugën “Pjetër Dungu”, gjatë kontrollit fizik policia i gjeti 19 doza lëndë narkotike e dyshuar kanabis. Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht dhe 3 shtetas për “Moskallëzim krimi” . Materialet u referuan për veprime të mëtejshme pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb