TIRANË

Policia e Tiranës dhe Kamzës ka ndaluar tre persona të akuzuar për shpërndarje droge. Sipas të dhënave zyrtare, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, goditi 2 raste të tjera, si rezultat i të cilave u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
O. Y., 25 vjeç, pasi në rrugën “George Bush”, punonjësit e policisë të Komisariati Nr. 1, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, gjetën dhe sekuestruan një sasi me lëndë të dyshuar narkotike e llojit cannabis sativa.

I. M., 16 vjeç, pasi në rrugën “Berisha”, u kap nga shërbimet e Komisariatit Nr. 5, duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse. Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në mjetin me të cilin ky shtetas qarkullonte, u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar cannabis sativa.

Po kështu, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë kapja dhe ekzekutimi i urdhrit të prokurorit, për shtetasin në kërkim E. T., 30 vjeç, pasi Gjykata e Apelit Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike“, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb