Një 19-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Vlorës, pasi u kap në flagrancë duke shpërndarë lëndë narkotike në fshatin turistik në Dhërmi. Arrestimi i tij u bë pas hetimeve të ndjekura nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore.
I riu, me inicialet P. P., banues në Lushnjë, akuzohet se shpërndante doza kanabisi, kryesisht në lokalet e natës. Gjatë kontrollit personal dhe në banesën ku ai qëndronte përkohësisht në Dhërmi, u sekuestruan 64 doza me lëndë narkotike, të gatshme për shitje.
Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë së Vlorës, ndërsa i riu do të përballet me akuzën për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Kontrollet e policisë në zonat turistike vijojnë, me fokus parandalimin e shpërndarjes së drogës gjatë sezonit veror.
Njoftimi i policisë:
DVP Vlorë/Vijojnë kontrollet për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Falë inteligjencës policore, kapet në flagrancë një 19-vjeçar që shpërndante lëndë narkotike në Dhërmi.
Sekuestrohet një sasi lënde narkotike kanabis, një pjesë e ndarë në doza, gati për shitje.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, në kuadër të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të shpërndarjes së lëndëve narkotike, veçanërisht në zonat turistike, pas marrjes së informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, organizuan kontrolle në fshatin Dhërmi, ku si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
-P. P., 19 vjeç, banues në Lushnjë.
Gjatë kontrollit personal dhe në banesën ku ky shtetas qëndronte në Dhërmi, Policia i gjeti dhe sekuestroi 64 doza me lëndë narkotike kanabis, të cilat ky shtetas i shiste kryesisht në lokalet e natës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.