TIRANË

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 28-vjeçar, me akuzën e shpërndarjes së drogës, teksa ka sekuestruar lëndë narkotike kokainë, metadon dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat e një pune disamujore, në bazë të informacioneve të marra se një shtetas merrej me shpërndarjen e lëndës narkotike kokainë në zonën e Freskut, kanë organizuar operacionin e koduar “Fresku”, në kuadër të të cilit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Eduart Sulioti, 28 vjeç. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi me lëndë narkotike kokainë, një shumë parash dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Po nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. P., 37 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga Forca e Posaçme “Shqiponjat” iu gjetën dhe iu sekuestruan disa doza metadon. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb