TIRANE- Kryedemokrati Lulzim Basha shfaqet i palëkundur nga qëndrimi i tij, ndonëse Rama vendosi të riformatojë kabinetin qeverisës, e të heqë madje edhe dy ministrat e atakuar nga opozita, Tahirin e Beqajn. Në një lidhje direkte me emisionin “Studio e Hapur” në News 24, kreu i PD-së sqaroi me detaje pakënaqësinë e tij për njërin nga ministrat e rinj të emëruar nga kryeministri Rama.

Si më herët, Basha tha se zëvendësimi i Tahirit me Xhafën ishte një provokim, ndërsa nuk nguroi të rendisë “rekordet” e Xhafës, të cilin e quajti vëllain e një trafikanti droge dhe pinjoll të diktaturës.

Lulzim Basha sqaroi ndër të tjera edhe takimin me ambasadorin rus, i cili ishte interesuar për situatën politike në Shqipëri, duke shtuar se ky nuk është takimi i tij i vetëm me Karpushin, pas ngacimit që i bëri gazetari Arian Cani për një afrim të mundshëm me rusët.

BASHA SHPËRTHEN NDAJ FATMIR XHAFËS: VËLLAIN E KA TRAFIKANT
Eni Vasili: Zoti Basha edhe pse dy anëtarë të qeverisë u larguan pse jeni sërish të pakënaqur?
Lulzim Basha: Qytetarët u mblodhën në 18 shkurt për të larguar kabinetin Rama si kërcënimi kryesor për zgjedhe të lira dhe të ndershme, jo për eksponentë të caktuar. Kjo protestë jo vetëm nuk ndalet por do të vazhdojë, jo me Ramën kryeministër, jo më kabinetin Rama.

Eni Vasili: Ju e keni pranuar Fatmir Xhafën si kryetar për reformën në drejtësi, nuk keni pasur kontestime pse e kontestoni tani që u bë ministër?
Lulzim Basha: Nga mënyra si e the, po më bind sikur e kam emëruar unë kryetar tek ligjet. Ai është i emëruari i Ramës edhe tek ligjet edhe tek komisioni i reformës. E kemi treguar me gisht se ka zvarritur reformën për 1 vit e gjysmë, i ka shërbyer axhendës së Ramës për të kapur drejtësinë, që të shmangë atë që ka thënë Rama, “nëse nuk fitojmë pushtetin ju të gjithë do jeni para drejtësisë”. Për dy projektet që hodhi poshtë Venecia përgjegjës është Xhafa. Ai hodhi poshtë edhe paktin, marrëveshjen PS-PD dhe përjashtimin e opozitës nga reforma në drejtësi. Pra, nuk kemi dhënë për të as dakordësi, as miratim. Ai është ekzekutuesi i axhendës së Ramës për reformën në drejtësi.

Eni Vasili: E quan provokacion?
Lulzim Basha: Më keq se kaq, është si t’ju thuash shqiptarëve hoqa Tahirin dhe vura Xhafën, vëllai i të cilit kërkohet për trafik droge. Si mund të pranojnë shqiptarët për garanci të zgjedhjeve këtë figurë. Kjo qeveri ka rënë është shkërmoqur. Agron Xhafa, vëllai i tij është përfshirë në trafik ndërkombëtar kokaine. Fatmir Xhafa është një pinjoll i komunizmit.

CANI NGACMON BASHËN PËR “AFRIMIN” ME RUSËT

Arjan Cani: Kam vetëm një pyetje, takimi me ambasadorin rus u iniciua nga ju?
Lulzim Basha: U kërkua nga ambasada ruse u interesuan pranë PD. Është hera e dytë që e takoj ambasadorin rus, Aleksandër Karpushin, i cili erdhi për të marrë informacion. Gjithçka është transkriptuar, konspiracionit me armiq kanë ikur me kohën e diktaturës. Ne kemi aleatë strategjikë, me disa kemi pengesa, por kjo nuk na bën të mos shohim përpara.

Arian Cani: Mua më pëlqeu, tregon që edhe ky vend i vogël po merr interesimin e palëve që nuk janë “miq”, pra jo vetëm SHBA janë miq, por Shqipëria po bëhet atraktive edhe për Rusinë…
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb