TIRANEDeputeti i ri i PD-së, i pari në listën e Shkodrës i quan një dështim tolal zgjedhjet e 25 qershorit. Në një opinion për “Panorama” me titull “Dhunimi i zgjedhjeve dhe delegjitimimi i pushtetit të ri socialist”, ai i lëshon mesazh të fortë PS, e cila, sipas tij, duhet ta mendojë mirë para se ta mandatojë Edi Ramën sërish Kryeministër.

Nga Romeo GURAKUQI

Vëmendja e zhvendosur e opinionit publik më ngjan të jetë në ndihmë të kapërcimit të njollave të një procesi zgjedhor të korruptuar dhe të kompromentuar, me para dhe me forcë. Gradualisht, një qeveri e re, e ridimensionuar në peshën e pushtetit, në hapësirën që zë makineria ndëshkimore e lirisë, përgatitet, me gjithë energjinë e marrë nga “triumfi” elektoral, t’i zërë vendin qeverisë së vjetër që po bie pa u ndjerë.

“Rilindja”, në vend që të dërrmohej në mes të rrotave të ambicies së anëtarëve të vet për pushtet, para e lavdi, ia arriti të mbijetojë e të ripërtërihet mbi hirin e vet, me paratë e kanabisit. Tanimë ajo duket se po rithemelon e qetë ekzekutivin punues, grupet që do të përgatisin ndërtimin e një pushteti të pakufishëm, të cilin nuk don e nuk guxon ta ndalë askush.

Një mizëri interesash të vogla, personazhesh të një bote që duam t’i lëmë pas, në bunkerët dhe vilat e së shkuarës, kanë marrë protagonizmin dhe po mbisundojnë mbi interesat e së ardhmes së nocionit, të konsolidimit të lirisë, të prosperitetit ekonomik, të integrimit europian, shtetit për të gjithë qytetarët dhe të kujdesit social për shtresat e margjinalizuara etj.

Mbi të gjithë, në projektimin dhe programimin e vëmendjes së publikut, spikat pushteti i katërt: i tëri nën kontroll dhe me fokus jashtë qendrës së nevojave të një shoqërie që po vuan nga një rikthim i trishtë, i ish-ministrit të Brendshëm të kohës së djegies së dosjeve dhe vrasjeve në kufi, në krye të kupolës së organit sovran.

Thënë shkurt: Bëj fushatë sa të duash, ndërto programe të kuruara nga specialistët më të mirë të ekonomisë, të drejtësisë, të arsimit dhe të zhvillimit të territorit, tako sa më shumë njerëz, dëgjoji me vëmendje dhe mbaj shënim gjithshka, kujdesu në çdo moment të përcjellësh një mesazh shprese, ndërto ligjërimin që duhet, puno ndershëm dhe thjeshtë, kjo në Shqipëri përfundimisht nuk mjafton për të realizuar një objektiv ideal, një kthesë për nga e mira publike, një kthesë për nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe për të dhënë një burim të ligjshëm pushteti demokratik.

Zgjedhjet në këtë vend mund të komandohen nga restorantet e kthyera në shtabe permanente takticienësh “fushatash” dhe mund të fitohen me lehtësi, pa bërë asnjë vizitë në vatrat e mjerimit apo të lumturisë, mjafton që ke gjetur njerëzit e përshtatshëm për shpërndarjen e “mesazhit” material.

Jemi në një vend ku çdo program i punuar me mendje, shpirt, atdhedashuri, ekspertizë, dështon para forcës, dhunës, parasë dhe dinakërisë së ekspertëve të kupolës.

Deformimi i rrugës së lirisë u realizua këtë herë qetësisht, përmes blerjes së një fashoje sociale të paqëndrueshme, përmes bonuseve të sipërmarrjeve klienteliste (lehtësisht e verifikueshme kjo nga borderotë e punëmarrësve), përmes mosveprimit të organeve të sigurisë dhe inteligjencës (kontrolloni urdhrat e shërbimit ditën e votimit dhe para saj), që u lanë fushë të lirë Nëntokës dhe Natës së Errët.

Produkti: zgjedhjet e lira dhe të ndershme dështuan, një superpushtet rrëshqiti nga frerët dhe po rimodelohet në institucionet kryesore të shtetit. Publiku bën disa pyetje:

A mund të konsiderohen zgjedhjet e lira në një vend, kur qeveria nuk kontrollon lëvizjen e parasë, që vërshon nga skutat dhe nga bankat me shpejtësi marramendëse, brenda pak orëve, duke destabilizuar bursat e improvizuara të një vendi pa bursë, pa financa të shëndosha dhe me ekonomi informale?

A mund të konsiderohen zgjedhje të lira në një vend, ku Policia e Shtetit nuk kontrollon për 10 ditë me radhë, lëvizjet e automjeteve pa targa, që vërshojnë natën, cep më cep të vendit, dhe ditën e votimit stacionohen qetësisht para dhe brenda oborreve të qendrave të votimit, pikave të kontrollit të lëvizjeve të votuesve dhe bëjnë revizionimin e “borderove” të dhëna nga eprorët e padukshëm?

A mund të konsiderohen zgjedhje të lira dhe të ndershme në një vend, në të cilin nuk sigurohet barazia e startit financiar të kandidateve, transparenca e fondeve që shpërndajnë partitë politike, nuk monitorohet dot zbatueshmëria e kornizës ligjore të fushatave, as metodat operacionale, as përdorimi i institucioneve të propagandës dhe përdorimi i aseteve në veprim (po më thojnë se pushteti në një qark verior ka shpërndarë 300 tableta për komisionerët dhe vëzhguesit)?

Kush mban përgjegjësi kur procesi zgjedhor shndërrohet në një përplasje luftënxitëse, grupimesh gjoja politike, brenda dy pjesëve të një qeverie që ka administruar egërsisht për katër vjet vendin? A është kjo një klimë e favorshme dhe e pranueshme për aktivitet opozitar, kur dy organizata politike qeveritare përplasen si armiq të paepur mes vehtës? Përse kjo përplasje? A është detyra e qeverisë të krijojë një klimë të qetë sigurie dhe barazie në proces?

Jemi në rrethanat e prodhimit nga zgjedhjet, të një pushteti formalisht legjitim, por në thelbin moral dhe material, të deformuar dhe jolegjitim. Ndaj ky pushtet i prodhuar në këtë formë, do të duhet të kufizohet me arsye dhe me marrëveshje të ndërmjetësueme.

Lënia e lirë e rrugës së ringritjes në pushtet, qetësisht dhe me certifikim të zotit Edi Rama dhe rrethit të tij, që padyshim do të zgjerohet me sivllezërit e tij të “idealit” socialist, do të thotë që Shqipëria të ecë institucionalisht e pareformuar, me kushtetutën e saj të shkatërruar, me ndarjen e saj administrative përçarëse, me kodin zgjedhor irracional, klientelist dhe përjashtimor, me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit të pandara nga njëra-tjetra dhe nga qeveria e politizuar, me Reformën në Drejtësi të kontrolluar tashmë nga një dorë etj.

Një pushtet jo thelbësisht legjitim, duhet të ndalet duke korrigjuar gjithshka që prodhoi këto katër vite dhe posaçërisht ditën e votimit. Dita e Votimit në heshtje, nuk fsheh dot katrahurën deformative të vullnetit të kontrolluar të popullit, me plan të menduar hollësisht me kohë. I frikë- suar nga “fitorja referendare”, vetë Kryeministri, u fjalos mendueshëm dhe i pasigurt, mbi sheshin e betonizuar të kryeqytetit të vendit. Ai e ndjenë dhe e din, më mirë se askush, se është arkitekti i skemës pushtetmbajtëse, të cilën tashmë do të duhet ta menaxhojë. Kemi të bëjmë me një pushtet të pakufishëm, fundi i të cilit është i paparashikueshëm, në qoftë se nuk ndalet në startin e legjitimimit.

Zoti Edi Rama duhet të kuptojë se zgjedhjet e 25 qershorit shpalosen gjithë përçudninë e një sistemi të sajuar, i vendosën kapakun sistemit të vjetër të kontrollit nga skutat e pushtetit të errët, të ekonomisë dhe investimeve, të zgjedhjeve, të Reformës në Drejtësi, të konkurrencës dhe jetës së njerëzve të thjeshtë. Ai duhet të kuptojë se nuk mund të qeverisë më ashtu sikurse ka qeverisur për katër vite dhe aq më pak, me skemën që ka filluar të implementojë, pa marrë asnjë certifikim zyrtar elektoral. Ai duhet t’i hapë rrugë një zgjidhjeje mbipartiake, thelbësisht reformuese, për të bërë shtet, në të cilin askujt nuk mund t’i shkojë më ndër mend se mund të blejë vullnetin e popullit me mekanizmat e derisotshëm dhe skuadrat operacionale të netëve të errëta. Nuk bëhet fjalë për atë tip shteti që thotë ai. Bëhet fjalë për shtetin e qytetarëve të barabartë para ligjit, ku komanduesit e zgjedhjeve të fundit, të tuten dhe të zhduken nga operativiteti antiligjor.

Edi Rama nuk duhet ta qeverisë më këtë vend. Partia Socialiste duhet të ndalet e të mendojë para se ta mandatojë, mbasi ai është shefi i ekzekutivit që dështoi në krijimin e klimës dhe fushës asnjan- ëse Zgjedhjet e tij të dështuara, mënyra se si ai lejoi “përrenjtë” e deformacionit të vërshejnë dhe ndotin procesin, e delegjitimojnë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: