TIRANE- Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu ka sulmuar hapur prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla se ky i fundit ka qenë kundër reformës në drejtësi.

Me një mesazh të qartë, Lu pohoi se gjatë procedurës së hedhjes së shortit për anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, (KED) Llalla solli vetëm 3 propozime, duke dhunuar sipas tij Kushtetutën, në një kohë kur duhet të sillte një listë me disa emra, të cilët më pas do të përzgjidheshin.

“Prokurori i Përgjithshëm është kundër reformës në drejtësi. Për më shumë se 18 muaj ka folur kundër reformës. Në nëntor dhe dhjetor prokurorët u përpoqën dhe dështuan të sekuestronin serverin e kompjuterëve të ILDKPI, që është thelbësor për Vettingun. Të premten e shkuar, siç kërkohet nga Kushtetuta e re, u hodh shorti për anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që do të mbrojnë pavarësinë e gjyqësorit. Shorti u drejtua nga sekretarja e Kuvendit, bazuar në Kushtetutë. Por prokurori i Përgjithshëm solli një liste vetëm me 3 anëtarë. Kushtetua përcaktonte se anëtarët duhet të përzgjidheshin me short, dhe secili solli listat më të gjata për këtë pozicion. Në dallim me to, prokurori i Përgjithshëm zgjodhi vetëm 3 emra, përzgjedhur pa preferencë për të plotësuar 3 poste”, tha ai.

Nga ana tjetër, ambasadori i SHBA-ve theksoi se fatmirësisht kjo platformë po monitorohet nga ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, në një kohë kur sipas tij ka njerëz të rëndësishëm, (pa përmendur emra) që po përpiqen që ta manipulojnë këtë proces. Ambasadori nuk nguroi të nënvizojë se SHBA do të vëzhgojë procesin që vjen pas krijimit të KED.

“Fatmirësisht ata ekspertë kombëtar dhe ndërkombëtar që e hartuan këtë platformë parashikuan se njerëz të rëndësishëm do përpiqeshin që të manipulonin këtë proces. Në Kushtetutë thuhet se anëtarët e Këshillit të Drejtësisë duhet t’i nënshtrohen Vettingut. Disa anëtarë kanë dhënë dorëheqje. Ne do të ndjekim nga afër pet të parë nëse ky komision do t’i përmbahet kësaj kërkesë dhe do të bëhet procesi i Vettingut. Populli shqiptar duhet t’i tregojë fytyrën njerëzve të fuqishëm. Partnerët ndërkombëtar do të mbështesin qytetarët.”, pohoi Lu.

Ambasadori paralajmëroi ardhjen e gjykatësve dhe prokurorëve amerikanë dhe evropianë në Tiranë për reformën në drejtësi.

“Javën e ardhshme do mbërrijnë gjykatës e prokurorë amerikanë dhe nga BE për fillimin e operacionit ndërkombëtar të monitorimit. Për të siguruar që kjo reformë do të kryhet pa anësi politike dhe pa toleruar korrupsionin”, theksoi Lu.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb