*Doshi kundër Qeverisë: Ministrat po vjedhin, drejtoreshat Spiropali e Shehaj janë kthyer në seksere
*Blushi: Nuk kandidoj për Tiranën-

TIRANË-Mbledhja e grupit parlamentar është zhvilluar me debate të shumta, ku në fokus kanë qenë zgjedhjet e pritshme lokale dhe jo vetem. Në mbledhje mungoi Edi Rama.

Ndarja e zonave për zgjedhjet lokale është bërë shkak që deputeti socialist Tom Doshi të debatojë me kreun e grupit të tij parlamentar, Gramoz Ruçi në mbledhjen me dyer të mbyllura.

Gjatë mbledhjes së grupit të drejtuar nga Ruçi në selinë rozë, me dyer të mbyllura, mësohet se Doshi i ka kërkuar atij “të ulemi e të diskutojmë ndarjen e zonave, që ajo të mos vendoset vetëm nga Kryeministri.”

Deputeti ka kërkuar thirrjen e një takimi me kryeministrin për të folur për ministrat pa performancë. Madje ka shprehur pakënaqësinë sepse ministrat nuk i ngrenë telefonin deputetëve ndërsa këta të fundit përdoren vetëm për fushatë elektorale.
“Ministrat nuk i hapin telefonin deputetëve. Deputetët përdoren vetëm për fushatë elektorale. Të kërkohet largimi i ministrave që nuk kanë performancë të mirë” mësohet të ketë kërkuar deputeti Doshi në mbledhje, citojnë burimet brenda grupit PS.

Pa permendur emra të veçantë të ministrave, ai ka thëne se ata që nuk kanë performancë duhet
të largohen, duke akuzuar, gjithashtu pa emra, se ministrat nuk i hapin as telefonat deputetëve. Doshi ka thënë se një pjesë e ministrave sipas tij po vjedhin.
Përvec ministrave, Doshi ka akuzuar ashpër edhe drejtoreshën e Doganave, Spiropali dhe atë të Tatimeve, Shehaj.
Deputeti madje gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e grupit është shprehur i gatshëm të sjellë edhe fakte për të dëshmuar se Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve dhe familjarë të saj janë kthyer në sekserë për përfitime personale. Njësoj është shprehur ai edhe për kreun e Doganave, Spiropali, duke pohuar se situata po vjen në përkeqësim.

Ben Blushi
Po kështu edhe deputeti socialist Ben Blushi i kërkon kryeministrit Edi Rama që të konsultohet me grupin parlamentar për përcaktimin e kandidatëve për zgjedhjet vendore të 21 qershorit.
Në një prononcim për mediat në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar socialist, deputeti i qarkut të Elbasanit kërkoi nga kreu i ekzekutivit të zgjerojë rrethin e konsultimeve përpara se të dalë me një listë emrash në 61 njësitë vendore.
Blushi ka komentuar gjithashtu edhe dorëheqjen e Arben Shkëmbit një ditë më parë nga pozicioni i kryetarit të Bashkisë së Pogradecit.
“Dorëheqja e Shkëmbit është braktisje e detyrës”, tha Blushi.

Deputeti socialist, Ben Blushi, ka reaguar ndaj raportimeve se ai mund të garojë për Bashkinë e Tiranës. Blushi ka mohuar këto zëra.

Pritet që PS-ja të dalë në zgjedhjet lokale me kandidatë të përbashkët me LSI-në, por ende kjo e pakonfirmuar zyrtarisht. Deri tani, ka qenë vetëm kreu i LSI-së, Ilir Meta, që e ka shprehur publikisht këtë nevojë për të zgjedhur kandidatët më cilësorë.

(d.b/ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb