Ajula Jubani, pedagoge dhe zv.dekane në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë ka hedhur akuza të ashpra në lidhje me procesin zgjedhor të zhvilluar në këtë institucion për zgjedhjen e Dekanit, ku fitoi kolegu i saj Sabri Laçi me një diference shumë të vogël votash.

Jubani shkruan se zgjedhjet e zhvilluara tejkaluan çdo përfytyrim, dhunuan çdo parim të demokracisë dhe të akademizmit duke theksuar se studentët u keqpërdorën.

Ajo deklaron më tej se dekani i komanduar dhe kandidat në zgjedhje nuk hezitoi të përdorte pozicionit e tij, duke zhvilluar punësime pas shpalljes së procesit zgjedhor. “Nuk u ndal të përdorte administratën për të ndikuar votën e lirë. Nuk u përmbajt të pengonte abuzimin me detyrën duke detyruar dhe kontrolluar votimin e studenteve me shpërblim me nota. Çfarë mund të bësh kur sheh studentët e tu vëzhgues të mos tërhiqen edhe kur në emër të dekanit të komanduar dhe kandidat për dekan, u vijnë mesazhe kërcënuese?!”, shkruan Jubani.

Nga Prof.dr. Ajula Jubani
Nga zgjedhja në zgjedhë me një çerek vote
Vendosa të kandidoja në zgjedhjet për dekan të Fakultetit të Historisë të Filologjisë, duke vlerësuar se, veç aftësive drejtuese e përgatitjes profesionale, kjo do të thotë, mbi të gjitha, të kesh një ndërgjegje intelektuale, si dhe vetëdijen për peshën e detyrës dhe peshën e institucionit. Ky është fakulteti i një trashëgimie të gjatë e bartës i frymës së re, qendër e mendimit të guximshëm, auditori ku janë formuar pjesa më e rëndësishme e profesoratit të disiplinave tona, qendra drejt së cilës drejtohen albanologë nga e gjithë bota për të sjellë e për të këmbyer përvojat më të mira kërkimore, vendi nga ku nuk dalin thjesht të diplomuar, por intelektualë kurajozë të një vendi ku vritet çdo ditë liria dhe shpresa.

Por zgjedhjet e zhvilluara tejkaluan çdo përfytyrim, dhunuan çdo parim të demokracisë dhe të akademizmit. Unë nuk do të dal të tund ekraneve fotot e studentëve të keqpërdorur, sepse ata kanë jetë përpara dhe do të doja që integriteti i saj të mos cënohej; nuk do të dal të tund ekraneve fotot e pedagogëve që u dhanë studentëve modelin e tjetërsuesit të lirisë së zgjedhjes, sepse nesër ata do të jenë përsëri në auditorë dhe nuk dua që imazhi i korruptuesit moral t’i shoqërojë; unë nuk do të tund fotot e pedagogëve që në vend të komunikimit zgjodhën dhunën fizike dhe morale … nuk do t’i tund këto letra dëshmish, sepse Fakulteti im do të jetë edhe kur hiri t’i ketë mbuluar karriget e pushtetit të tyre tribal dhe emrat e tyre turpi i harresës.

Megjithatë, disa të vërteta do t’i them, sepse ia kam borxh lotëve të studentëve të mi, mbështetjes së kolegëve të mi, kurajos së të gjithë atyre që me mua u ngujuan për më shumë se 30 orë në auditor nën zgjedhë. Gjithë çka ndodhi nuk ishte rastësi, por vijim i një stategjie të nisur qysh gjatë muajit të fushatës zgjedhore. Dekani i komanduar dhe kandidat në zgjedhje nuk hezitoi të përdorte pozicionit e tij, në shkelje të nenit 4, pika 7 të Rregullores së zgjedhjeve, duke zhvilluar punësime pas shpalljes së procesit zgjedhor. Nuk u ndal të përdorte administratën për të ndikuar votën e lirë. Nuk u përmbajt të pengonte abuzimin me detyrën duke detyruar dhe kontrolluar votimin e studenteve me shpërblim me nota. (Sic kanë deklaruar vetë studentët gjatë procesit të votimit, brenda qendrës së votimit dhe gjithashtu mjafton të konsultohet përqindja e pjesëmarrjes së numrit të studentëve të Departamentit të Gjeografisë, krahasuar me departamentet e tjera). Para hyrjes në qendrën e votimit, ata verfikoheshin me lista emërore, ku shënoheshin emrat e tyre.

Si mund të bësh zgjedhje universitare dhe të gjendesh përballë dhunës së kolegëve pedagogë, që dëshmojnë forcën e tyre burracake, pa menduar se para tyre kanë kolege, gra, nëna fëmijësh. Sigurisht, me të tillë njerëz që predikojnë analiza luajale ekraneve mediatike, nuk mund të mendosh përballje intelektuale, ata komunikojnë vetëm në kode tribale të një gjeografie të cunguar.

Çfarë mund të bësh kur sheh studentët e tu vëzhgues të mos tërhiqen edhe kur në emër të dekanit të komanduar dhe kandidat për dekan, u vijnë mesazhe kërcënuese?!

Si mund të veprosh kur sheh si keqpërdoret media, nëpërmjet pedagogëve të departamentit të gazetarisë, për të shpalluar një rezultat paraprak, duke i bërë presion KIZ-it, i cili ka kompetencën për ta bërë këtë.

Si duhet të veprosh kur pas gjithë presioneve të të gjitha formave e sheh se rezultati përfundimtar nuk nxjerr fitues, sepse edhe dekani i komanduar e njëkohësisht kandidati për dekan, ka arritur të marrë vetëm një çerek vote më shumë.

Sipas cilës së drejte ligjore dhe cilit moral akademik do të shpalleshin fitues në këtë garë? A do të mundeshin institucionet zgjedhore të shpallnin fitues me shumicë votash kandidatin që ka vetëm 1/4 e votës më shumë, pra në një konceptim vizual, një fletë votimi të ndarë në 4 copë, ku vetëm njëra prej copëzave është më tepër, apo duke iu referuar Fjalorit të gjuhës shqipe mbi kuptimin e votës, do të thotë se kemi vetëm 1/4 e një mendimi apo vetëm 1/4 pjesë të një vullneti të shprehur, pra nese fituesi mund të shpallet me cerek mendimi, thënë ndryshe me çerek vote, le të bëhet.

Tashmë më e keqja ka ndodhur: emri i Fakultetit tonë do të lidhet me të gjitha ato skandale të turpshme e pa asgjë të përbashkët me mendësinë universitare dhe akademike, por vetëm me tribalizmin e gardhit gjeografik dhe mediatik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: