TIRANË- Një ditë pasi Partia Demokratike u regjistrua si subjekt në KQZ për zgjedhjet parlamentare edhe aleati i saj bën të njëjtën lëvizje.

Gazetarja Elda Menga duke iu referuar burimeve tha për “BalkanWeb” se PR ka dalë e pakënaqur nga negociatat me PD dhe ka vendosur të garojë e vetme, duke u regjistruar sot si subjekt zgjedhor sot në KQZ.

“Vendimi u mor pas mos arritjes së marrëveshjes politike me PD për të shkuar së bashku në zgjedhje. PR vendos të shkojë e vetme në zgjedhje të masë elektoratin e saj, pasi ka dalë e pakënaqur nga negociatat politike me PD”, pohuan burime për “BalkanWeb”.

Mësohet se Mediu ka kërkuar një marrëveshje korrekte për partinë e tij dhe një listim korrekt të kandidatëve të tij në proporcion të votave që ka marrë në zgjedhjet e kaluara. Por me sa duket kjo gjë nuk është pranuar nga kreu i PD-së Lulzim Basha.

Aleatët e tjerë të PD-së, kreu i LZHK, Dashamir Shehi dhe kreu i PDK Nard Ndoka kanë zhvilluar dje një takim me Lulzim Bashën në selinë e Partisë Demokratike. Kreu i PD, Lulzim Basha ka propozuar që aleatët të garojnë nën siglën e PD.

Nard Ndoka pritet të kandidojë për deputet në Shkodër nën siglën e PD, ndërsa Dashamir Shehi në qarkun e Tiranës.

Partia Demokratike dorëzoi dje në KQZ kërkesën për t’u regjistruar si subjekt për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 qershorit dhe për ato në Kavajë.

Kjo lëvizje e Partisë Demokratike është bërë 24 orë përpara afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve. Ndërkohë që gjatë orëve të mbetura deri sot në mbrëmje, Basha duhet të zyrtarizojë listën përfundimtare të kandidatëve për deputetë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb