Pas humbjes me Tiranën, vullkaniku Safet Gjici, presidenti i Kukësit, që shpërthen sa herë që gjërat nuk shkojnë ashtu siç ai ka shpresuar, i dha Armando Cungut një javë kohë. Trajneri shkodran kishte si ultimatum fitoren me Teutën, fitore e cila do të qetësonte ujërat në kampin verilindor.

Por Kukësi u mposht dhe nga Teuta, madje pavarësisht deklaratave të Cungut pas ndeshjes, bëri shumë pak për të merituar fitoren. Teuta vrapoi nga fillimi deri në fund me lojë të rrjedhshme dhe përmbysi disavantazhin fillestar pas golit të Rexhinaldos, duke siguruar fitoren.

Cungu u shfaq shumë i nervozuar pas humbjes, ndërsa deklaroi se ishte nje ditë tersi, u ankua për lojtarë që luajtën me temperaturë, madje u kap në debat dhe me Ervin Fakajn, që nga studio e emisionit “Gol pas Goli”, kërkoi të analizonte humbjen e Kukësit. Por, arsyetimi i pasndeshjes nuk i ka pëlqyer aspak Safet Gjicit, që duket se ka humbur durimin. Kukësi arriti të rikuperonte 9 pikë ndaj Partizanit, duke qenë i dyti me 3 pikë diferencë ndaj të kuqve, por tashmë në vetëm tre ndeshje, nënkampionët kanë rrëshkitur në -8 dhe janë të tretët, pas shpinës së Teutës. Dhe duket se është vetëm çështje orësh përpara se ultimatumi i vendosur pas humbjes së Tiranës, të marrë formën e prerë!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb