Pas zbardhjes së një pjese të mirë të debateve në mbledhjen me dyer të mbyllura të kryesisë së PD, për të cilën grupi anti Basha publikoi edhe mënyrën se si u votua lidhur me kërkesën për caktimin e një date për analizën e zgjedhjeve, ka ardhur edhe një reagim nga brenda selisë blu.

Kërkesa për analizën e zgjedhjeve nuk gjeti miratimin e anëtarëve të kryesisë 11 prej të cilëve votuan kundër dhe 20 prej të cilëve, sipas grupit anti-Basha, abstenuan duke mos e futur në rend të ditës.

Pikërisht për shifrën e abstenimeve, zëdhënësja e PD, Ina Zhupa thotë se ky lajm është i pavërtetë, duke sqaruaar gjithë çfarë ndodhi sipas saj.

Zhupa thotë se nuk e kupton dot nga e ka burimin në një kohë që anëtarët e PD që nuk mbështesin Bashën, kanë dalë me emër dhe me mbiemër dhe kanë treguar lidhur me votimin e djeshëm.

REAGIMI I PLOTË I INA ZHUPËS
FAKE NEWS MBI VOTIMIN NË KRYESINË E PD
Më vjen shumë keq kur shikoj të përhapur një lajm fallso që nuk e kuptoj dot nga e ka burimin. Ndjej si detyrë të informoj se dje në mbledhjen e kryesisë, pjesë e të cilës jam edhe unë kemi zhvilluar disa votime.

Votimi i parë dhe ai që është përhapur si FAKE NEWS ishte propozimi i anëtarit të kryesisë Gent Malko i bërë edhe publik. Ky propozim u hodh në votim nga treshja drejtuese e kryesisë.
Në këtë votim rezultati ishte:
24 Kunder propozimit te Z. Malko
11 Pro propozimit të Z. Malko
10 Abstenime

Pa dashur të bëj publike emrat e anëtarëve dhe votën se nuk është detyra ime, desha të bëj me dije që çdo lajm që flet për rezultat abstenues është i pavërtetë.

Interpretimet e këtij rezultati të vërtetë po ja lë gjithsecilit ti bëj.
Një gjë është e sigurt PD sapo ka hapur një garë, e cila duhet të na forcojë, të na bashkoj dhe të na japi mundësi të ecim përpara. Fituesin e përcakton anëtarësia e partisë sipas parimit: Një anëtar, një votë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: