TURQI- Një shpërthim dhe të shtëna janë dëgjuar pranë selisë së Kryeministrisë në Stamboll pak pas mesditës së sotme. Në vendngjarje kanë shkuar ambulanca dhe forcat policore.

Të shtënat me armë janë dëgjuar në hyrje të Pallatit Dolmabahce në Stamboll, i cili është një atraksion i njohur turistik. Mediat ndërkombëtare raportojnë se policia ka arrestuar 2 persona të armatosur.

Militantët e Shtetit Islamik ISIS i kanë bërë thirrje popullit turk të ngrihet kundër regjimit të presidentit Erdogan duke e quajtur të pabesë e tradhtar. Nëpërmjet një videoje, ISIS akuzoi Presidentin Erdogan se ia ka shitur vendin të krishterëve dhe partisë ateiste të Punëtorëve të Kurdistanit dhe se ka lejuar që bazat turke të përdoren nga të krishterët e nga SHBA thjesht për të ruajtur pozitën e vet.

“Popull turk, ju duhet që, pa humbur kohë të rebeloheni kundër këtyre ateistëve, të krishterëve dhe të pafeve, të cilët ju kanë bërë skllevër, ju kanë bërë të luftoni përkrah tyre”, thotë militanti në video. Thirrja e ISIS vjen dy muaj pasi Shteti Islamik filloi publikimin e një reviste në turqisht, ku vendin kryesor e zinte një shkrim me titull “Pushtimi i Kostandinopojës”, në të cilin bëhej thirrje për një pushtim të ri islamik të qytetit më të madh të Turqisë, Stambollit.

Turqia ra dakord muajin e kaluar për të vënë bazat e saj të rëndësishme strategjike në dispozicion të koalicionit kundër ISIS të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Turqia është duke kryer po ashtu operacione kundër militantëve të Shtetit Islamik (IS) në Sirinë fqinje.

Në javët e fundit, autoritetet turke kanë arrestuar mbi 1,000 persona të lidhur me grupin e Shtetit Islamik, rebelët kurdë dhe militantët majtistë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: