GREQI- Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur Athinën në orët e para të mëngjesit të sotëm. Mediat e huaja raportojnë se rreth orës 03:35 minuta të së martës u dëgjua një shpërthim në rrugën “Ksenofondos”, vetëm pak metra larg sheshit “Sindagma”.

Sipas hetimeve të para, policia thotë se objektiv i autorëve të këtij sulmi ishte godina e dhomës së industrialistëve grekë që ndodhet në numrin 5 të rrugës “Ksenofondos” në qendër të Athinës. Policia thotë se persona të panjohur kanë telefonuar në redaksitë e dy gazetave, duke njoftuar për vendosjen e bombës në qendër të Athinës.

Shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme në Dhomën e Industrive dhe në një hotel ngjitur, por për fat nuk pati njerëz të lënduar. Zougla.gr. shkruan se ajo çka u gjet ishte një pajisje me kurdisje e cila ishte e vendosur në një çantë udhëtimi pranë hyrjes së ndërtesës. Policia në Greqi është gati prej dy javësh në alarm të kuq, pikërisht prej informacioneve se po përgatitet një sulm terrorist dhe telefonata është marrë shumë seriozisht, duke mbyllur brenda pak minutash gjithë qendrën e Athinës.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: