Një shpërthim me eksploziv është regjistruar mëngjesin e sotëm në një lokal në Prishtinë. Eksplozivi i vendosur në hyrje të lokalit ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, mirëpo fatmirësisht asnjë person nuk është lënduar.

IndeksOnline ka siguruar pamjet ku shihet një person teksa vendos lëndën plasëse para lokalit.
Në video shihet qartë se si i dyshuari del nga një veturë, kalon dy korsitë e rrugës dhe e vendos me shpejtësi eksplozivin në hyrje të lokalit.

Ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë në orën 02:20 minuta, ndërsa policia për eksplodimin është njoftuar në orën 03 e 30 minuta.

“Sot rreth orës 03:30, jemi njoftuar për një rast shpërthimi në një lokal në rrugën “C”, në Prishtinë. Njësitet përkatëse policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po merren me rastin. Nuk raportohet për persona të lënduar. Për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti, i cili është cilësuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, janë duke punuar njësitet përkatëse në koordinim me Prokurorinë e Shtetit”, ka thënë për IndeksOnline, Flora Ahmeti, zyrtare për informim në Policinë Rajonale të Prishtinës.

Deri pasditen e sotme, nuk është raportuar për identifikimin apo arrestimin e ndonjë të dyshuari. Hetimet përkitazi me këtë rast ende janë duke vazhduar me intensitet nga organet e hetuesisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: