Pesë efektivë të policisë turke janë vrarë këtë të hënë nga një shpërthim me bombë ndaj një automjeti policor në Turqinë lindore, raporton agjencia franceze e lajmeve, AFP.

Katër policë të tjerë kanë pësuar lëndime serioze. Raportohet se përgjegjës për sulmin janë militantët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit.

Rebelët kurdë kanë shpërthyer eksplozivin teksa një autobus që bartte pjesëtarë të njësisë speciale ishte duke kaluar pranë.

Që nisjes së kryengritjes së militantëve kurdë, në vitin 1984, mbi 40 mijë njerëz janë vrarë, shkruan më tej AFP.

Sulmi ka ndodhur në kohën kur në Turqi po vazhdojnë masat kundër personave që dyshohen se kanë marrë pjesë në grusht shtetin e dështuar të 15 korrikut.

Megjithatë, autoritetet turke kanë thënë se spastrimet masive do e dobësojnë ushtrinë kundrejt rebelëve kurdë që në Turqi dhe perëndim konsiderohen organizatë terroriste.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb