TIRANË– Tre ngjarjet e shpërthimit me eksploziv në Tiranë për momentin po hetohen së bashku, nën drejtimin e të njëjtit grup hetimor të Prokurorisë për Krime të Rënda.

Dyshimet se ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën kanë bërë që organet hetimore të prokurorisë t’i hetojnë së bashku.
Kështu bëri të ditur zyrtarisht organi hetimor, duke theksuar se Prokuroria për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka nisur hetimet për vepra penale “Vepra me qëllime terroriste”, parashikuar nga neni 230 i Kodit Penal, pas dy shpërthimeve dhe një tentative për shpërthim me lëndë eksplozive, të ndodhura mëngjesin e së Martës, dt. 10.02.2015, në disa zona të Tiranës.

Nga të dhënat paraprake, rezulton se në orën 02.50 të datës 10.02.2015 ka ndodhur një shpërthim me lëndë eksplozive në një ambient tregtar, në pronësi të shtetasit B.T, ndodhur në rr. “Kongresi i Manastirit”.
Rreth orës 03.50, ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive në shesh-pushimin e katit të pestë të një pallati në rr. “Arben Minga” dhe janë dëmtuar banesat e shtetasit A.N, zyrtar i Policisë së Shtetit, dhe shtetasit E.F.

Po ashtu, rreth orës 06.15, nga ana e forcave të Policisë së Shtetit, në një stacion autobusi në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë, është zbuluar një sasi lënde eksplozive, e gatshme për të shpërthyer. Pas konstatimit të lëndës plasëse, nga ana e efektivëve të Policisë së Shtetit është kryer shpërthimi i kontrolluar.

Këto tre ngjarje për momentin po hetohen së bashku, nën drejtimin e të njëjtit grup hetimor të Prokurorisë për Krime të Rënda. Në kuadër të këtij hetimi, po kryhen të gjithë veprimet e nevojshme proceduriale.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: