* Nëse hesht Bankers duhet të flasim ne; AKBN ­që merret me burimet natyrore, Albpetrol që merret me marrëveshjet, ERE­ që licencon

* Institucionet të bëjnë Bankers të flasë, të hetojnë, të ndëshkojnë, ta bëjnë edhe të paguajë për çdo dëm

TIRANË- Deputeti i PS­-së, Erion Braçe, i cili drejton edhe Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, akuzon Ministrinë e Energjisë për heshtje në lidhje me shpërthimet dhe situatën në fshatin Marinzë, si dhe për mungesë transparence për prodhimin e naftës në vend.

Në një postim të detajuar në faqen e tij zyrtare të Facebook, Braçe e quan shqetësuese heshtjen e ministrisë, e cila sipas tij, duhet të “bëjë Bankers të flasë, të kërkojë llogari prej saj deri në detaje; të hetojë, ndëshkojë, ndryshojë dhe të japë garanci për të ardhmen e pasurisë sonë kombëtare”. Braçe thekson më tej se është përgjegjësi e institucionit ta bëjë kompaninë edhe të paguajë për çdo dëm të shkaktuar, pasi sikundër ngre zërin ai, “qytetarët dhe interesat e tyre duhet t’i mbrojnë institucionet”.

Postimi i plotë i Braçe në FB

Nuk ka transparencë!! Bankers po hesht, por Bankers është thjesht operatori, për pasurinë tonë kombëtare përgjigjemi ne!! Prej të mërkurës 1 prill; Marinza është po ajo që ishte, e pasur dhe e pabanueshme!! Njëri prej operacioneve të Bankers Petroleum ka dëmtuar deri në kufijtë e katastrofës, për banorët, mjedisin gjithashtu!! Por ajo që shqetëson më shumë ka të bëjë me këto fakte: Kompania Bankers Petroleum hesht dhe nuk është transparente për: Operacionin e ndërmarrë në atë pus; Teknologjinë e përdorur në atë pus; Materialet e përdorura e lëndët e injektuara në atë pus; Presionin me të cilin është punuar në atë pus; Arsyen teknike te atij shpërthimi në atë pus; Përbërjen e lëndëve të shpërndara prej atij pusi në një zonë të gjerë; Dëmtimet në shtresa nëntokësore ardhur nga operacionet pas të cilave ndodhi shpërthimi në atë pus, Qëndrueshmërinë e tokës pas shpërthimit në atë zonë; Mungesën e një plani rehabilitimi, përfshirë rehabilitimin mjedisor.

Vini re: Bankers njoftimin e fundit për ngjarjen në Marinzë e ka të datës 1 Prill, ditës së shpërthimit dhe i referohet aktivizimit të planit të evakuimit!! Por më shumë se Bankers, mua më shqetëson heshtja e Ministrisë përgjegjëse.

Nafta është pasuria jonë kombëtare, Bankers është thjesht një operator ekonomik që ka një marrëveshje hidrokarbure me Albpetrol, kaq, asgjë më shumë!! Padiskutim Bankers ka përgjegjësinë të zbatojë një më një marrëveshjen dhe ligjet shqiptare

në fuqi për zonën ku operon nën marrëveshje!! Por nafta është pasuri e jona, puset e naftës gjithashtu, zonat naftëmbajtëse patjetër, ndaj ne kemi përgjegjësinë publike për këtë pasuri.

Ditën kur ndodhi shpërthimi shkruajta se Bankers nuk thotë të vërteten!! Në fakt prej asaj dite Bankers heshti!!

Nëse hesht Bankers duhet të flasim ne; AKBN ­që merret me burimet natyrore, Albpetrol që merret me marrëveshjet, ERE­ që licencon, çdo grup ekspertësh të instituteve dhe ish-instituteve që duheshin vënë në lëvizje e rikthyer fort qysh kur mikrosizmat po paralajmëronin dëme afatgjata nga teknologjia e operacioneve jo transparente të ndërmarra; në fund Ministria!!

Nuk ka transparencë!! Kjo irriton aq sa duket se institucionet shtetërore po presin Bankers të flasë!! Ndërkohë duhet të jenë ato që duhet të bëjnë Bankers të flasë, të kërkojnë llogari prej saj deri në detaje; të hetojnë, të ndëshkojnë, të ndryshojnë dhe te japin garanci për të ardhmen e pasurisë sonë kombëtare!! Pa diskutim, ta bëjnë edhe të paguajë për çdo dëm të shkaktuar!!

Qytetaret dhe interesat e tyre duhet ti mbrojnë institucionet!! Ky është rasti por përtej tij; Në tërësi, nuk ka transparencë në prodhimin e naftës në vend!! Për gjithçka dhe për çdo operator të licencuar, transparenca nuk është standard. Askush nuk di sot se kush është Stream oil!! Madje askush ndër ne nuk di sot se çpo bën me pasurinë tonë; marrëveshjet janë tregtuar dhe vështirë të dimë se kush i zotëron, ndërkohë që i kemi lëshuar vendburime të rëndësishme nafte e gazi. Po në to çndodh? Ndaj është emergjente të kthehemi atje ku thamë e duhet ta kishim nisur, tek: auditimi i marrëveshjeve hidrokarbure, verifikimi i zbatimit të planeve të zhvillimit, verifikimi i planeve të investimit, verifikimi i treguesve financiare, shpenzimeve e të ardhurave posaçërisht, tatimeve të paguara dhe atyre që mungojnë, për mua; ndryshimi i raporteve të përfitimit dhe natyrisht taksimit!! Tani është koha, unë mendoj se po humbim shumë, duke filluar nga Marinza.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: