FIER- Prokuroria e Fierit ka nisur hetimin për 7 persona, drejtues administrativ dhe teknik të “Bankers Petroleum” dhe kompanive nënkontraktorëve të saj, si përgjegjës për shpërthimet e gazit natyror në zonën e Marinzës, të ndodhur në datën 1 prill të këtij viti. Sipas kësaj Prokurorie, të 7 personat po hetohen për veprat penale “Shkatërrim i pronës” nga pakujdesia dhe “Ndotja e ajrit”, parashikuar nga nenet 161 e 201 të Kodit Penal.

Deri në këtë fazë të hetimit, Prokuroria ka ngritur dyshime dhe po zhvillon hetime ndaj shtetasve:

1. Leonidha Çobo, Drejtor i Përgjithshëm i “Bankers Petroleum”;

2. Lane Gardipee, me detyrë supervizor shpimi i “Bankers Petroleum” për operacionet ditore të sondës 504 ;

3. Wayne Gaunt, me detyrë menaxher për operacionet e shpimit të “Bankers Petroleum”;

4. Steve Hrushka, menaxher i sondës i shoqërisë “Simmons” në pusin 5761;

5. Mike Davy përgjegjës mbikëqyr për operacionet e ekipit të shpimit, i shoqërisë “Simmons”

6. Frenc Lazlo, supervizor i operacioneve të çimentimit, i shoqërisë “Rotary”;

7. Tibor Vargon, inxhinier i operacioneve të çimentimit, i shoqërisë “Rotary”,

Menjëherë pas shpërthimit të gazit natyror në zonën e Marinzës, Prokuroria e Fierit nisi hetimin, në kuadër të të cilit u administruan raportet e inspektimit dhe kontrollit të disa institucioneve qendrore dhe lokale, në bazë të të cilave u krijuan dyshimet konkrete mbi personat e sipërpërmendur.

Në vijim të hetimit, Prokuroria e Fierit njofton se është në pritje të raportit nga Drejtoria e Tatimeve, lidhur me veprimtarinë financiare të kompanisë “Bankers Petroleum”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb