FIER- Pas shpërthimeve në puset e naftës në Marinzë, Prokuroria e Fierit ka vijuar hetimet “kryesisht” ndaj kompanisë “Bankers Petroleum”, për shkatërrim prone dhe ndotje të ambientit. Nisur nga këto zhvillime, Prokuroria ka marrë në pyetje administratorin e “Bankers”, Leonidha Çobo, ndërsa ka paraqitur fletë-thirrje edhe për 3 drejtues të huaj të kësaj kompanie.

Shpërthimet e gazit natyror, ujit dhe argjilës si shatërvanë zgjuan banorët e Patos-Marinzës mëngjesin e 1 prillit 2015. Dy puse shpërthyen duke e përmbytur zonën e banuar, e duke rrezikuar një katastrofë njerëzore dhe natyrore. Më pas kanë ndodhur dhe dy shpërthimet të tjera, njëri me ujë e tjetri me argjilë.

Shpërthimet nisën kur kompania “Bankers Petroleum”, po kryente operacione shpimi.

Zona është ndotur nga gazi dhe ajri i rëndë, ndërsa u bë edhe evakuimi i banorëve banesat e të cilëve ndodheshin pranë puseve.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: