Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u ka propozuar presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe liderit rus, Vladimir Putin të themelojnë një komision ndërkombëtar për të hetuar shkatërrimin e digës në rajonin Kherson.

Erdogan deklaroi se mund të krijohet një komision ndërkombëtar me pjesëmarrjen e ekspertëve nga palët ndërluftuese, Kombet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Turqinë, për një hetim të detajuar të “shpërthimit” në digën Nova Kakhovka.

Lideri turk tha se është e rëndësishme të kryhet një hetim gjithëpërfshirës “që nuk lë vend për dyshime”.

Gjatë zhvillimit të bisedës telefonike mes Erdogan dhe Putin, ky i fundit akuzoi Ukrainën për kryerjen e akteve terroriste.

Kievi dhe Moska kanë fajësuar njëra-tjetrin për shkatërrimin e digës, e cila ndodhi në territorin e pushtuar nga Rusia. Shkaku mbetet i paqartë, por imazhet satelitore tregojnë se diga ishte dëmtuar vetëm disa ditë para shembjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb