Zëvendëskryeministri Erjon Braçe ka reaguar për shpërthimin e fuqishëm dy ditë më parë në një pikë karburanti në Lezhë, nga i cili u plagosën shtatë persona.

Duke folur për gazetarët, zv.kryeministri tha se karburanti është bllokuar sot dhe se vijojnë hetimet për të zbuluar të gjitha kontrollet që janë ushtruar më parë në këtë biznes.

Lidhur me këtë, Braçe paralajmëroi se do të mbajnë përgjegjësitë gjithë inspektorët, apo edhe ndonjë ent tjetër, qoftë edhe privat, që kanë lëshuar vërtetim sigurie për atë pikë karburanti.

“Është bllokuar sot. Ajo që më shqetëson, dhe që po vazhdoj të kërkoj bashkë me ministren përkatëse informacion më të hollësishëm, ka të bëjë me kontrollet e ushtruara më herët në këtë pikë karburanti.

Të gjithë inspektorët dhe aktet e konstatimit të tyre janë vënë në lupë dhe po kontrollohet një për një dhe do mbajnë përgjegjësi për çdo gjë jo vetëm ata, por edhe ndonjë ent tjetër, qoftë edhe privat, që ka lëshuar vërtetim sigurie për atë pikë karburanti”, tha Braçe.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb