Në Republikën Çeke është krijuar një ngërç politik ndërsa ministri i shëndetësisë ka refuzuar të japë dorëheqjen pasi u publikuan foto të tij duke ngrënë në një restorant të Pragës, të mbyllur nga masat shtrënguese për COVID-19.

Kryeministri çek Andrej Babis i bëri thirrje Ministrit të Shëndetësisë Roman Prymula të japë dorëheqjen pasi revista Blesk publikoi pamje të zotit Prymula duke u larguar natën nga restoranti dhe duke u futur në një makinë pa maskë. Të dyja këto veprime shkelin udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë për restorantet dhe detyrimin për mbajtje të maskës në pothuajse shumicën e vendndodhjeve, përfshirë makinat me shofer.

Por më vonë të premten, zoti Prymula u tha gazetarëve se ai nuk shkeli asnjë rregull dhe refuzoi të jepte dorëheqjen. Ai tha se ishte ftuar në restorant për t’u takuar me një drejtor spitali dhe hyri në restorant përmes një hyrjeje private dhe vendosi një maskë sapo u gjend në makinën e tij.

Baret dhe restorantet në Republikën Çeke janë të mbyllura sipas rregulloreve aktuale që synojnë të paktën ngadalësimin e përhapjes së virusit. Shkollat, teatrot, kinematë, kopshtet zoologjike dhe shumë vende të tjera janë gjithashtu të mbyllura dhe janë ndalur garat sportive profesionale.

Ministri i shëndetësisë tha se kryeministri e ka mundësinë ta shkarkojë. Zoti Babis ishte planifikuar të takohej me Presidentin çek Milos Zeman, i cili miraton ndryshimet ministrore, të premten më vonë për të diskutuar çështjen.

Polemikat vijnë ndërsa ky vend po lufton me rigjallërimin më të madh të COVID-19 në Evropë. Që nga e premtja, Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve raporton se gjatë dy javëve të fundit, Republika Çeke kryeson në kontinentin evropian, me 1’148 raste për 100’000 njerëz./voa

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb