Presidenti i Sri Lankës, Gotabaya Rajapaksa, është larguar nga vendi me avion ushtarak, pas trazirave që mbërthyen vendin, ku mijëra qytetarë janë ngritur në protesta masive për krizën ekonomike.

Lajmi bëhet i ditur nga “BBC”, e cila thekson se Presidenti Rajapaksa i ka dhënë fund një dinastie familjare që ka sunduar vendin për dekada. Ndërsa është e paqartë se ku ka shkuar ai.

Presidenti kishte qenë i fshehur pasi turmat hynë në banesën e tij të shtunën. Vëllai i tij, ish-ministri i Financave Basil Rajapaksa, gjithashtu është larguar nga vendi, thanë burimet për BBC.

Vëllai më i vogël i Presidentit Gotabaya Rajapaksa u pengua të largohej nga vendi 24 orë më parë, por tani thuhet se po shkonte për në SHBA.

Banorët e Sri Lankës fajësojnë administratën e Presidentit Rajapaksa për krizën e tyre më të keqe ekonomike në dekada.

Për muaj të tërë ata kanë luftuar me ndërprerjet e përditshme të energjisë dhe mungesat e gjërave bazë si karburantet, ushqimet dhe ilaçet.

Lideri autoritar, i cili gëzon imunitet nga ndjekja penale pasi është president, besohet se ka dashur të arratiset jashtë vendit përpara se të largohet për të shmangur mundësinë e arrestimit nga administrata e re.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb