Presidenti francez, Emmanuel Macron, të mërkurën paralajmëroi Iranin kundër çdo ndërhyrje në Liban, pas shpërthimit në një port javën e kaluar, që ka shkaktuar një krizë politike në vend.

Gjatë një bisede telefonike me presidentin iranian, Hassan Rouhani, Macron theksoi “domosdoshmërinë për të shmangur çdo ndërhyrje nga jashtë dhe për të mbështetur vendosjen e një qeverie e cila mund të menaxhojë emergjencën”, njoftoi zyra e Macronit, raporton Reuters.

Qeveria e Libanit dha dorëheqjen këtë javë pas demonstratave që shpërthyen duke kërkuar llogari për shpërthimin në portin e Bejrutit, nga i cili mbetën të shkatërruara lagje të tëra të qytetit.

Irani ka një ndikim të madh në Liban, përmes grupit shiit Hezbollah, i cili ishte i përfaqësuar fuqishëm në qeverinë në largim, dhe ka një aleancë me fraksionin e presidentit libanez, Michel Aoun, shkruan Rel.

Shpërthimi më 4 gusht, i cili la 171 njerëz të vdekur, sipas autoriteteve ndodhi në një depo të kimikateve, të cilat ishin ruajtur pa masa të sigurisë.

Macron, i cili ishte udhëheqësi i parë botëror që vizitoi Bejrutin pas shpërthimit, ka marrë rolin kryesor në koordinimin e reagimit ndërkombëtar dhe në fundjavë kryesoi një konferencë të ndihmës humanitare, e cila arriti të sigurojë më shumë se 250 milionë euro.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb