Sulmi në digën Nova Kakhovka, në Ukrainën jugore, është dënuar nga shume vende të Evropës.

Bashkimi Evropian e ka dënuar me forcë sulmin në digën Nova Kakhovka, duke e quajtur atë një “akt kundër njerëzimit” dhe duke paralajmëruar se mund të përbëjë një krim lufte sipas ligjit ndërkombëtar.

“Sulmet e Rusisë kundër infrastrukturës kritike civile ukrainase arritën një nivel të paprecedentë sot. Bashkimi Evropian e dënon këtë sulm në termat më të ashpër të mundshëm. Ky akt përfaqëson një dimension të ri të mizorive ruse dhe mund të përbëjë një shkelje të ligjit ndërkombëtar, veçanërisht të drejtës ndërkombëtare humanitare,” thanë Josep Borrell, shefi i politikës së jashtme të BE-së dhe Janez Lenarçiç, Komisioneri Evropian për menaxhimin e krizave, në një deklaratë të përbashkët për mediat.

Shkatërrimi i digës së epokës sovjetike, e cila ndodhet në pjesën e kontrolluar nga Rusia të Ukrainës jugore, ka detyruar evakuimin e mijëra njerëzve në rajonin e Khersonit, të cilët jetojnë në zona të rrezikuara për t’u përmbytur.

Deri më tani, askush nuk ka marrë përsipër sulmin, por Kievi ka akuzuar forcat ruse. Mirëpo, Moska ka mohuar akuzat duke thënë se ishte “sabotim” i kryer nga Ukraina.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb