TIRANË- Dalin nga spitali 18 persona prej 21 të plagosurve nga shpërthimi i djeshëm në një ëmbëltore tek zona e “Don Boskos” në kryeqytet.

Mësohet se në spital kanë mbetur vetëm tre të plagosurit më rëndë, Nebije Mejdini 67 vjeç, Fadil Tuzi 28-vjeç dhe Kujtim Cami 50-vjeç, por edhe këta janë jashtë rrezikut për jetën.

Nga Spitali i Traumës ka komunikuar sot me mediat mjeku Dritan Çela, i cili thekson se dy persona do dalin nesër nga spitali. “Aktualisht kemi tre veta në spital një është në ORL, i cili do të dali nesër paradite pasi të mjekohet. Rasti tjeteë është në Krirurgji dhe ajo do dalë nesër paradite. Po qëndrojnë kryesisht për të marrë antibiotik dhe për tu trajtuar për plagët lokale. Rasti tjetër në Reaminacion besoj do vazhdojë të trajtohet. Mund të ketë nevojë tjetër për ndërhyrje kirurgjikale nga ana e mjekëve maksilofacial, por kjo do të shikohet në një etapë të dytë. Ky person ka pasur dëmtim në kokë, dëmtim të kockave të fytyrës të cilat do të vendosen të trajtohen në një etapë të dytë”.

Për News 24 bashkëshortja e Kujtim Camit tregon se si e ka marr veshë këtë ngjarje.
“Tim shoq Kujtim Cami, ka qënë duke kaluar rrugës kur ka shpërthyer bombula. S’kemi marrë vesh asgjë, deri kur na kanë lajmëruar në orën 10 të darkës. Kam hyrë dy herë, për ta parë, por nuk komunikon, nuk flet, është i enjtur, i dëmtuar në kokë, ka çrregullime, e shikoj që me zor mbushet me frymë. Doktorët më thanë që tani do ta nxjerrin sipër, gjëndja është kritike. Shteti të vendosë dorën tek të sëmurit se janë njerëz dhe ti kushtojnë rëndësi spitalit.

Ndërsa i plagosuri Fadil Tuzi i cili ishte duke pirë kafen e pasdites tregon sesi shpërthimi e ka përplasur në trotuarin përballë ëmbëltores. “Po shkoja të pija një kafe, se e di që është pak më freskët. Sa u ula bombula filloi duke nxjerrë gaz, u çuam të gjithë duke shikuar…më kapi krahun më ka çarë pas koke. Sa kam bërë dy hapa më ka hedhur në erë dy metra larg asfaltit. Shkojmë shpesh aty afër shtëpisë, sa kisha marrë kafen ishte ora 18 e 30. Mjekët kanë thënë punë dy ose tre ditësh më pas të shikojmë për ndonjë operacion. Desha një ndihmë nga shteti jemi në dorë të zotit pa punë pa lekë”.

Shpërthimi ndodhi pasditen e së dielës, rreth orës 18:40, kohë kjo kur zona ishte mjaft e populluar, ndërsa ishte i ngjajshëm me shpërthimin e një eksplozivi dhe la pas 21 të plagosur, dëme të shumta materale si dhe panik e frikë në të gjithë zonën e “Don Boskos”. Nga hetimet rezultoi se shkak për shpërthimini u bë prishja e kokës së bombolës së gazit, nga e cila pati rrjedhje të pakontrollur gazi. Burime Policia e kryeqytetit thanë se dyshohet që shpërthimi të ketë ndodhur për shkak të amortizimit të valvulës së sigurisë.

Forcat zjarrfikëse të mbërritura menjëherë në vendin e ngjarjes kanë bërë të mundur neutralizimin e zjarrit, duke shmangur rrezikun e shpërthimit edhe të katër bombolave të tjera të mbushura me gaz që ndodheshin në dyqan.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: