VLORE

Trupa gjyqësore e Gjykatës në Vlorë ka reaguar mbi shpërthimin me eksploziv në makinën e prokurorit,Alber Kuliçi. Përmes një deklaratë shpërndarë mediave, trupa gjyqësore në Vlorë, dënon me forcë krimin ndaj kolegut Kuliçi, ndërsa kërkon nga organet kompetente marrjen e masave për sigurimin e jetës dhe shëndetit të kolegut dhe familjes së tij.

“Trupa gjyqësore e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë shpreh indinjatën e thellë në lidhje me ngjarjen e datës 21.12.2019 ku mbeti i dëmtuar automjeti i prokurorit Albert Kuliçi, Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë. Veprimi kriminal i ditës së shtunë ka cenuar jo vetëm prokurorin Albert Kuliçi, por të gjithë profesionistët e sistemit të drejtësisë të cilët kryejnë me përkushtim detyrën e tyre.

E dënojmë me forcë, krimin ndaj kolegut tonë dhe kërkojmë nga të gjitha organet marrjen e masave për sigurimin e jetës dhe shëndetit të kolegut dhe familjes së tij. Në këtë kohë, ku sistemi i drejtësisë është duke pësuar një reformim të thellë e radikal, solidariteti dhe ofrimi i të gjitha garancive nga sulmet kriminale, profesionistëve si z.Kuliçi, është domosdoshmëri absolute për vazhdimin e detyrës publike dhe kthimin e besimit të publikut tek drejtësia.

Mbështesim prokurorin dhe veprimtarinë e tij në përmbushje të rregullt të detyrës pa asnjë rezervë dhe bëjmë thirrje për më shumë vëmendje në trajtimin e gjyqtarëve e prokurorëve me dinjitet.
Me bindjen që kjo ngjarje e rëndë do të zbardhjet dhe autorët e saj do të çohen para ligjit, ftojmë të gjithë faktorët vendas dhe të huaj në dënimin e këtij krimi dhe mbështetjen e organeve të drejtësisë në kryerjen e punës së tyre të vështirë.’ thuhet në deklaratë.

Whatsapp Image 2019 12 23 At 3.02.30 Pm (1)
Whatsapp Image 2019 12 23 At 3.02.30 Pm (1)

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb