Dy trupa janë gjetur nën rrënojat e dy ndërtesave që u shembën pas një shpërthimi në jug të Francës.

Tetë persona dyshohet se mbetën të bllokuar nën rrënojat në Marsejë, ndërsa operacionet e kërkimit po vazhdojnë.

Kryebashkiaku i Marsejës Benoit Payan tha: “Këtë mëngjes pikëllimi dhe dhimbja janë të mëdha. Dy trupa u gjetën nën rrënoja”.

“Po mendoj për të dashurit e atyre që vuajnë dhe mbeten të shqetësuar. Marseja qëndron në krah të tyre. Operacionet e shpëtimit dhe kërkimit vazhdojnë të pandërprera”.

Pamjet televizive treguan re tymi që ngriheshin nga rrënojat ndërsa zjarrfikësit u përpoqën të shuanin flakët në Marsejë.

Qentë janë në kërkim të viktimave. Shkaku i shpërthimit nuk dihet ende, tha prokurori i Marsejës, Dominique Laurens.

Marseje 1
Marseje 1

Shembja e ndërtesave shkaktoi një zjarr që ka komplikuar përpjekjet e shpëtimit, u tha zonja Laurens gazetarëve.

Pesë persona u dërguan në spital me lëndime të rënda, por jo të rrezikshme për jetën. Një burrë që dha emrin e tij vetëm si Roland tha se të mbijetuarit kishin “humbur gjithçka”.

“Ne nuk kemi asgjë, madje as një kartë identiteti”, i tha ai gazetës lokale La Provence.

Ai arriti të dilte nga ndërtesa në 15 Rue de Tivoli me gruan dhe dy fëmijët e tij përpara se ajo të shembej së bashku me një fqinj.

Ka pasur edhe një shembje të pjesshme të një ndërtese të tretë. Në total, 30 ndërtesa në zonë u evakuuan, tha Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin, i cili vizitoi vendin.

“Mendimet janë me Marsejën”, shkroi presidenti Emmanuel Macron në Twitter.

Në vitin 2018, rreth një kilometër nga shembjet, u shembën edhe tre ndërtesa të konsideruara të papërshtatshme për banim duke vrarë tetë persona.

Kryebashkiaku i Marsejës tha se nuk mund të bëhet një paralele mes dy ngjarjeve, ndërsa prokurori tha se ndërtesat që u shembën të dielën nuk dihej se kishin ndonjë problem strukturor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb