Autoritetet amerikane besojnë se nga  shpërthimi që tronditi zonën në qendër të qytetit Nashville mëngjesin e Krishtlindjes janë gjetur disa mbetje që i përkasin trupave të njerëzve.

Policia e ka cilësuar si “akt të qëllimtë” shpërthimin në një automjet në mëngjesin e Krishtlindjes në qendër të Neshvillit. Sipas zjarrfikësve, tre vetë u dërguan në spital, asnjë prej tyre me lëndime të rënda.

Zëdhënësi i policisë së qytetit Nashville të shtetit Tenesi tha se nga shpërthimi që ndodhi në orën 6:30 të mëngjesit u thyen xhama dhe u dëmtuan ndërtesa. Autoritetet besojnë se në shpërthim ishte i përfshirë një automjet. Policia tha se tre njerëz u dërguan në spital, asnjëri prej tyre në rrezik për jetën.

Policia tha gjithashtu se ka nisur një hetim në shkallë të gjerë.

Zona ku ndodhi shpërthimi është e mbushur me bare, restorante, dyqane të vogla dhe njihet si zemra turistike e qytetit.

Disa dëshmitarë thanë se zhurma e shpërthimit ishte e fortë dhe ndërtesat përreth u tronditën. Veç kësaj, u panë katër automjete në flakë ndërsa pemët në vendin e ngjarjes u shkatërruan

Kryebashkiaku i Neshvillit, John Cooper u bëri thirrje njerëzve të mos afrohen në zonë, ndërkohë që vazhdojnë hetimet. Autoritetet kanë sjellë qen që nuhasin për bomba si dhe po kontrollojnë xhirimet e kamerave të sigurisë në zonë.

Presidenti Donald Trump u informua për shpërthimin, tha një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb