SHKODËR- Të paktën 20 persona kanë mbetur të plagosur pas një shpërthimi në një resort turistik në Velipojë. Katër prej tyre janë në gjendje më kritike për jetën.

Gazetari Senad Nikshiqi raportoi nga vendi i ngjarjes për “BalkanWeb” se ka një numër të madh pushuesish që janë mbledhur rreth vendit të ngjarjes ku pamja është tronditëse.

“Në vendin e ngjarjes ka shkuar e para zjarrfikësja e Velipojës por më pas edhe të tjera nga Shkodra. Ambulancat shkojnë e vijnë në vendin e ngjarjes për të transportuar të plagosurit e shumtë. Pritet transportimi i personave që janë në gjendje të rëndë me helikopter drejt Tiranës. Shpërthimi ka shkaktuar përveç tronditjes panik të madh tek pushuesit dhe turistët e huaj. Dyshohet se të plagosurit më rëndë janë punonjësit e kuzhinës së restorantit”, deklaroi gazetari për “BalkanWeb”.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 10:20 të paradites së sotme, dhe dyshohet se shkak për zjarrin që përfshiu resortin “Fishta” ka qenë shpërthimi i një bombole gazi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: