TIRANE- Pas shpërthimit në poligonin e Xibrakës, ku si pasojë u dëmtuan disa banesa, Ministria e Mbrojtjes deklaron se ka nisur një hetim të plotë mbi gjithë procesin e demontimit atje.

“Ministria e Mbrojtjes urdhëroi një raport të plotë për procesin e asgjësimit të municionit në poligonin e Xibrakës, mbi respektimin e rregullores teknike dhe identifikimin e përgjegjësive të mundshme në ngjarjen e ditës së djeshme. Pavarësisht se raporti paraprak i grupit të verifikimit i perbere nga inxhinier te lëndëve plasëse, përfaqësues të Shtabit të Përgjithshëm, ekspertë të PU, struktura mbikqyrëse dhe struktura mbështetëse, sipas të cilëve praktika e asgjësimit me djegie të baruteve dhe mjeteve jashtë përdorimit është zbatuar në mënyrë rigoroze, pavarësisht ndikimit që kanë patur temperaturat e larta, MM po e vijon hetimin e kësaj çështjeje”,- thuhet në një deklaratë të MM-së.

Ndër të tjera, MM-ja siguron se do të dëmshpërblehen të gjithë pronarët e banesave të dëmtura dhe garanton se procesi i demontimit atje kryhet sipas të gjitha standardeve.

“Nga ekspertë të të gjithë palëve është bërë verifikimi i të gjithë dëmeve të vogla materiale të atyre banesave që ndodhen pranë poligonit dhe do të bëhet dëmshpërblimi i tyre. Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA, garanton opinionin publik se nuk do lejojë kompromentimin e sukseseve të njohura ndërkombëtarisht të procesit të demontimit të armatimit dhe asgjësimit të municioneve jashtë standardeve”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb