Mes shumë të panjohurave, ulje-ngritjeve të shumta, por dhe me disa realitet të prekshme, Abisset Superiore i drejtohet javës së fundit për këtë vit, ku për fat të mirë, kalendari rezervon një super përballje, ndeshjen më të rëndësishme të futbollit shqiptar, derbin e kryeqytetit, Partizani-Tirana.

Bardheblutë shkojnë në derbin e dytë sezonal si kryesues dhe me stofin e një ekipi favorit, ndërsa Partizani kërkon tre pikët me çdo kusht për të qëndruar në garë, me shpresën për të ngushtuar diferencën prej 12 pikësh.

Shpëtim Duro mbetet një trajner që nuk e njeh shijen e humbjes në derbi, i pamposhtur. I ftuar në “News24”, në emisionin “Sport News” të moderuar nga Enxhi Biba, trajneri i mirënjohur foli për këtë përballje historike, emocionet që përfaqëson kjo sfidë dhe si vijnë këto dy ekipe, kë sheh si favoritë, jo vetëm në këtë përballje por dhe në garën për titull.

Tirana – “Ishte një reagim jashtëzakonisht i fuqishëm i Tiranës pas asaj humbje dhe ndeshjes së dobët në Laç. Kishte përballë një skuadër si Teuta, kampionen në fuqi dhe me rikthimin e Martinit.

Them se ishte një reagim në momentin e duhur i Tiranës, ndaj një skuadre që e lë totalisht jashtë luftës për titull si Teuta dhe pret i qetë ndeshjen e fundit që ka me Partizanin.

Titulli – E kemi thënë që në dy javët e fundit do të jenë shumë të rëndësishme dhe vendimtare për portretizimin e skuadrave sa i përket klasifikimit dhe ndodhi ajo që thamë. Kam mendimin që janë 4 skuadra që janë futur në luftë për titullin: Tirana, Kukësi me atë fitore shumë të rëndësishme, Laçi dhe Vllaznia. Jam i bindur që këto skuadra do jenë në luftë, se dy të tjerat, Teuta dhe Partizani, janë shumë larg.

Në nivelin e kampionatit tonë 12 pikë nuk janë pak, në kampionat ka shumë rivalitet, Partizani e Teuta duhet të fitojnë të gjitha takimet që të ngushtojnë këtë diferencë nga katërshja e parë. Dy të mesit, Partizani e Teuta, duhet të luftojnë ndoshta edhe për t’iu shmangur në momente të veçanta katër skuadrave të fundit.

Kukësi – Nuk vodhi asgjë, ishte fitore me meritë e Kukësit. Në pjesën e parë sigurisht Partizani shënoi me Mustën supergol, kaloi në avantazh, pati mundësi të dyfishonte rezultatin. Por në pjesën e dytë Kukësi dominoi lojën, kërkoi gjithmonë atë rezultatin për të barazuar ndeshjen, ishte gjithmonë në kontroll të topit dhe e kam theksuar që gjysma e ekipit është Gjelbrim Taipi.

Ai është i kudondodhur, merr pjesë në të gjithë aksionet, barazoi ndoshta me fat, kërkoi me insistim golin e dytë dhe arriti një fitore jashtëzakonisht të merituar që i jep moral për vazhdimësinë.

Partizani – Nga ana tjetër ishte Partizani me oshilacione në ndeshje, me gabime të shumta individuale. Nuk është më çështje fati, nuk ditën të menaxhojnë avantazhin dhe në këtë aspekt shoh grupin e katër skuadrave të para që do të vazhdojnë deri në fund për titullin”, tha ndër të tjera Duro.

Vllaznia – Eshtë skuadra më cilësore, është shumë më keq sa i përket pikëve në raport me sezonin e kaluar. Ndoshta presioni i madh që ka, investimi që është bërë këtë vit, po ndikon te kjo skuadër. Vjet Vllaznia u fut pa pretendime, pa përgjegjësi objektivash dhe doli jashtë parashikimeve në fund të kampionatit.

Këtë vit ka ardhje shumë cilësorë në skuadër dhe objektiv është titulli ose trofe, por është më dobët se vitin e kaluar, po vuan ndeshjet në transfertë. Ka tre muaj pa fituar jashtë, ku në sezonin e  kaluar kishte armë të fortë marrjen e pikëve jashtë fushë. Fati i madh që Vllaznia është përsëri aty, ka ndeshje vendimtare me Kukësin, nëse arrin të fitojë, është afër Tiranës.

Dinamo – Duhet të jemi realistë, Dinamo bëri një ndeshje jashtëzakonisht të mirë me Vllazninë, sidomos në pjesën e parë. Ndoshta Vllaznia e kishte menduar pak të lehtë, që nuk rezultoi ashtu. Dinamo tani është në situatë shumë të vështirë, është me skuadrat e fundit që do të luftojnë të shmangin rrezikun serioz për të rënë. Por mos përjashtoni mundësinë që është një pjesë kampionati shumë interesante, por katërshja e fundit është për luftë për mbijetesë.

Forma e Laçit? Unë shpresoj që Laçi të shkojë për titull, si në vitin e kaluar ku ishte deri në fund. Ka një rikuperim të jashtëzakonshëm të pikëve, është futur me grupin e skuadrave kryesuese, ka gjendje të mirë si skuadër. Është kompakte, fitoi këtë ndeshje me meritë të plotë, i mohuan edhe dy 11 metërsha, ashtu si iu mohua një 11-metërsh Tiranës, e çuditshme. Laçi është në moment të mirë, e rëndësishme është të vazhdojë, t’i shkojë luftës deri në fund se një ndeshje mund t’i ndajë titullin kampion. Por unë shoh këto skuadrat që do të jenë në luftë për titullin kampion deri në momentin e  fundit.

Derbi? Sigurisht që në aspektin psikologjik, Tirana është më lart se është në vendin e parë ndaj një Partizani me jashtëzakonisht shumë probleme në këtë gjysmë sezoni. E tregojnë diferencat në klasifikim, 12 pikë diferencë, e paimagjinueshme për një skuadër cilësore si Partizani. Në aspektin psikologjik, Tirana është shumë më lart, është përballje që edhe sikur të fitojë do të jetë shumë e rëndësishme për ambientin e opinionin. E di shumë mirë si e presin tifozët këtë ndeshje e mund të ndikojë mirë, por përsëri e them që është larg objektivit për titull.

Tirana është mirë psikologjikisht, edhe barazimi është i pranueshëm në këto momente, por mund të jetë një barazim që mund të favorizojë skuadra të tjera që e ndjekin. Edhe pse janë 12 pikë, e dimë që organika e përbërja nuk ka farë diferenca, por varet si do të shkojë ndeshja, si interpretohet në mënyrën e të luajturit. Tirana ka dy rezultate, kurse Partizani të paktën duhet të fitojë. Nuk ka absolute në futboll por në këtë takim duhet  vetëm fitorja për të qetësuar pak ambientin në klub e sa i përket tifozerisë së Partizanit.

Derbet gjithmonë kanë sjellë ndryshime për mirë apo për keq, nëse do të humbin. Të paktën në këto 6- 7 vite nuk ka humbur asnjëherë Partizani 2 derbi radhazi. Më parë kishte 5 vite pa humbje. Humbja e dytë do të jetë e rëndë. A do të ketë ndryshime? Nuk e them këtë gjë, se janë drejtuesit që vendosin, por humbja ndaj Tiranës do të ishte shumë e rëndë. I ka mundësitë si skuadër Partizani që të fitojë ndeshjen.

Jam i bindur që Tirana do të jetë skuadër shumë e kujdesshme, ka qenë gjithmonë pragmatiste, kërkon golin, ka lojtarë shumë të mirë. Por edhe shfrytëzojnë mundësitë e veçanta që i jepen falë individualiteteve si Seferi, Totre, i cili është i talentuar e që po rrit lojën e Tiranës. Tirana është pragmatiste për të shfrytëzuar mundësitë që i jepen ndaj një skuadre si Partizani që barazimi nuk i shërben, vetëm fitorja e ngroh ambientin. E shoh ndeshje shumë të kujdesshme, jo me shumë gola. Nuk ka asnjëherë parashikime absolute por këto derbi janë të interpretuar në planin taktik, në dyluftime, çdo gjë është e hapur, unë e shoh 50 me 50.

Barazimi është i pranueshëm, për momentin e përsëris që Tiranës i leverdis të barazojë ndaj Partizanit vetëm për të mos humbur. Derbi është statistikë, kurse Partizani nuk duhet të humbasë, duhet të tentojë në çdo moment të fitojë këtë takim.

Vllaznia-Kukësi? Unë e kam theksuar se Vllaznia ka shumë më shumë individualitete, patjetër që është favorite, aq më shumë që luajnë në Shkodër. Por Kukësi është skuadër që të vë në vështirësi, ka mënyrën e saj të lojës, kanë një dirigjent si Taipi që po shfaq vlerat fantastike dhe po mban skuadrën, këto mbajnë skuadrën në kurriz. Kjo do të jetë një ndeshje e paparashikueshme dhe shumë interesante.

Vllaznia duhet të fitojë përndryshe do të krijohen situata jo të mira, duke iu referuar edhe takimit me Dinamon. Shkodra ka momente euforike dhe e patë që kishte shumë eufori para ndeshjes, është qytet që ka shumë eufori kur fiton. Por njëkohësisht është e kundërta kur humbasin, mosarritja e fitores në këtë ndeshje, do të krijohet një presion i jashtëzakonshëm psikologjik në ambientin e Vllaznisë”, tha Duro.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb