*Nazarko: PD ka vendosur të bëjë vetëvrasje në çadrën e protestës

TIRANE– Analisti Shpëtim Nazarko ka komentuar situatën politike në vend, dhe konkretisht deklaratat e deputetit Ben Blushi gjatë seancës së sotme plenare. Në rubrikën “Opinion” në “News24”, Nazarko tha se deklaratat e Blushit nuk janë realiste, por të ndikuara nga interesat e tij.

Sipas Shpëtim Nazarkos, kreu i LSI-së, Ilir Meta, nuk ka fuqi të ndikojë në vendimet e kryeministrit Rama.

“Sa i takon deklaratave të Blushit sot në Kuvend, do të thoja se i komenton situatat sipas interesit të vet. Blushi i bën llogaritë sipas dëshirës së vet. Edhe LSI nuk e ka marrë shumë të fortë manovrën. Dhe ky marzh manovrimi nuk është aq i fortë sa të prishë balancën. Mendoj se Blushi nuk ka të drejtë kur thotë se Meta ka fuqi të ndikojë mbi Ramën”, tha Nazarko.

Duke komentuar deklaratat e kryedemokratit Basha sa i takon kërkesave të përsëritura tashmë në 28 ditët e protestës, Nazarko thotë se opozita po vetëvritet në shesh. Sa i takon takimeve të Bashës me ambasadorët, Nazarko thotë se këto takime janë thirrur nga kryedemokrati.

“Basha sot tha se kauza e opozitës po shkon drejt realizimit. Por thirrja e Bashës për ambasadorët, me të cilët është takuar disa herë ditët e fundit, duket më shumë si sinjal i tij për të qetësuar aleatët. Nuk e thërrasin ambasadorët Bashën, por Basha ata. Duket edhe se diplomacia është pezull në këtë pikë”, u shpreh Nazarko.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb