Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në një lidhje telefonike për “News 24” ka treguar detaje mbi operacionin, që bëri të mundur shpëtimin e vogëlushit shqiptar Alvin Berisha, që ndodhej në kampet e Sirisë.

Lleshaj tha se Alvini është shpëtuar falë një pune profesionale të policisë shqiptare në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe ata libane. Më tej, Lleshaj tha se Alvini ende nuk e ka takuar babanë, i cili gjendet në Itali.

“Mund të themi se bëhet fjalë për një rrethanë të veçantë, me të cilën nuk jemi ndeshur më parë. E gjitha ka nisur pasi kryeministri Rama dhe Conte janë takuar së bashku. Shtetet kanë rënë dakord për bashkëpunim. Policia shqiptare dhe ajo italiane kanë bashkëpunuar dhe kanë marrë atë në kufirin mes Sirisë dhe Libanit. E gjitha u realizua me sukses në bashkëpunim edhe me Gjysmë-hënën e kuqe. Djaloshi ende nuk e ka takuar babanë, i cili është në Itali”, tha Lleshaj.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Po ashtu, Lleshaj theksoi se Alvini është gjetur pranë kufirit siriano – libanez, ndërsa shtoi se policia shqiptare po bashkëpunon me autoritetet, kryesisht libaneze për të ndërtuar një korridor të sigurt e për të shpëtuar edhe shqiptarë të tjerë.

“Unë tani ndodhem në Bejrut, pasi kemi marrë fëmijën. Shpresoj që së shpejti do të nisem drejt Italisë. Për të mos harruar se edhe ambasadori ynë në Liban ka dhënë mbështetje. Operacioni ishte mjaft i komplikuar dhe tashmë është mbyllur. Unë jam këtu për shpëtimin edhe të qytetarëve të tjerë shqiptarë që janë në kampet e Sirisë apo vendeve të tjera në Lindjen e Mesme. Ne në bashkëpunim me autoritetet libane duam të bashkëpunojmë për të shpëtuar edhe shqiptarë të tjerë”, u shpreh Lleshaj.

I pyetur për akuzat e opozitës se ky ishte një aksion propagandistik, Lleshaj deklaroi se nuk e sheh me vend të kthejë një përgjigje, kurse shtoi se policia po punon maksimalisht për të bërë të mundur shpëtimin e sa më shumë shqiptarëve që janë në kampe siriane.

“Nuk jam këtu për t’iu përgjigjur opozitës, por ne kemi përmbushur përgjegjësinë tone dhe shpëtuam Almir Berishën. Gjatë këtyre ditëve, kam pasur takime me autoritetet në Liban, me ministrin e Brendshëm libanez, me autoritetet e tjera, me autoritetet e sigurisë, me drejtues fetarë etj dhe duam që të gjejnë mundësinë që të shpëtojmë edhe shqiptarë të tjerë”, tha Lleshaj.

Ministri Sandër Lleshaj theksoi se djaloshi Alvin Berisha tashmë pritet që t’;i kthehet familjes, kurse vlerësoi se ai tashmë ka ikur nga ferri i kampeve.

“Di se Alvi u kthye nga ferri dhe do të kthehet tashmë jetës normale. Janë për t’u falënderuar të gjithë policët që kanë marrë pjesë në këtë operacion, pasi ky operacion u zhvillua në një vend ku ka rreziqe reale. Synimi ynë është që të ndërtohet një korridor dhe të shpëtohen sa më shumë shqiptarë që ndodhen këtu.”, tha Lleshaj.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb