Një gjykatë italiane shpalli të pafajshëm Silvio Berlusconin-in nga akuzat për dhënie rryshfeti ndaj dëshmitarëve në një rast prostitucioni që përfshinte persona të mitur, çështje që e ka ndjekur ish-kryeministrin për më shumë se një dekadë.

Berlusconi u akuzua se kishte paguar 24 persona për të dhënë dëshmi të rreme në një gjyq të mëparshëm, ku ai u akuzua se kishte paguar për marrëdhënie seksuale me një kërcimtare 17-vjeçare marokene në një klub nate.

Prokurorët kishin kërkuar një dënim me gjashtë vjet burg për Berluskonin, partia e të cilit Forza Italia është një komponent kyç i koalicionit konservator të kryeministres Giorgia Meloni.

Berlusconi, 86 vjeç, i kishte mohuar akuzat dhe tha se ishte viktimë e një komploti të gjerë për ta nxjerrë atë nga politika.

Ndërkohë vendimi është mirëpritur nga kryeministja Meloni, e cila e quajti lajm të mirë dhënien fund të një procesi kaq të gjatë gjyqësor.

“Lirimi i Silvio Berlusconit është një lajm i shkëlqyer që i jep fund një çështjeje të gjatë ligjore që pati gjithashtu pasoja të rëndësishme në jetën politike dhe institucionale italiane,” tha ajo në një deklaratë.

Që kur ai hyri në politikë në vitin 1994, karriera e Berlusconit është shënuar nga beteja ligjore dhe ai u ndalua përkohësisht nga posti politik pas një dënimi për mashtrim tatimor në vitin 2013.

Ai u kthye në Senat në zgjedhjet kombëtare të vitit 2022.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb