Tre shkencëtarë që zbuluan virusin e Hepatitit C kanë fituar Çmimin Nobel për Mjekësi, për vitin 2020.

Fituesit janë: shkencëtari britanik, Michael Houghton, dhe studiuesit amerikanë, Harvey Alter dhe Charles Rice.

Komiteti i Çmimit Nobel tha se zbulimet e tyre “shpëtuan miliona jetë”.

Ky virus është një shkaktar i zakonshëm i kancerit të mëlçisë dhe një arsye kryesore pse njerëzit kanë nevojë për një transplant të mëlçisë.

Testet shumë të ndjeshme të gjakut kanë bërë që raste të tilla, tani të eleminohen në shumë pjesë të botës dhe gjithashtu janë zhvilluar ilaçe efektive anti-virale.

“Për herë të parë në histori, sëmundja tani mund të shërohet, duke rritur shpresat për çrrënjosjen e virusit të Hepatitit C nga bota”, tha komiteti i çmimit.

Sidoqoftë, virusi ende infekton 70 milionë njerëz në vit dhe vret rreth 400.000 të tjerë.

Treshja do të ndajë shumën e çmimit prej 10 milionë korona suedeze (rreth 1,1 milion dollarë)./rel

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb