TIRANË

Një tjetër vendim për akuzën e shpifjes është dhënë sot nga Gjykata. Mësohet se Gjykata ka dënuar për shpifje ish-juristin e CEZ Romeo Kara, i cili akuzoi djalin e ish-kryeministrit shqiptar Shkëlzen Berisha. Ky i fundi e paditi për shpifje dhe gjykata ka vendosur sot të dënojë me 50 mijë lekë gjobë Romeo Kara.

VENDIMI
“Deklarimin fajtor të të akuzuarit Z.Romeo Kara, për kryerjen e veprës penal të “Shpifjes”, së kryer botërisht në dëm të viktimës akuzuese Z. Shkëlzen Berisha, parashikuar nga neni 120/2 i K.Penal dhe në bazë të këtij neni, dënimin e të akuzuarit me 50 000 (pesëdhjetëmijë) lekë gjobë.
Në aplikim të nenit 34 të KP, i akuzuari Romeo Kara do ta paguajë këtë gjobë brenda një afati prej 6 (muajsh), nga dita që ky vendim do të marrë formë të prerë.
Shpenzimet procedurale në ngarkim të të akuzuarit..
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim, brenda 15 ditëve nga e nesërmja e shpalljes së tij, në Gjykatën e Apelit Tiranë”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Kjo nuk është hera e parë që Kara dënohet për shpifje ndaj Shkëlzen Berishës. Më 15 nëntor të vitit të kaluar gjykata Tiranës e shpalli fajtor për shpifje ish-juristin e CEZ dhe e dënoi me 500 mijë lekë të vjetra për deklaratën e bërë në Facebook në vitin 2017, ku shkruante se djali i ish-kryeministrit Sali Berisha ka bërë trafik droge.

Ai është dënuar me gjobë për veprën penale ‘Shpifje e kryer botërisht”, e parashikuar nga Neni 120/2 i Kodit Penal. Por vetë Kara ka deklaruar se e kishte huazuar akuzën nga një intervistë televizive e Izet Haxhiajt në vitin 2014.

Izet Haxhia e akuzonte Shkëlzen Berishën se ishte përfshirë në trafik droge. Por Shkëlzen Berisha u kundërpërgjigj dhe e përgënjeshtroi Haxhiajn dhe tha se nuk mund të çonte në gjyq një vrasës. Të njëjtat akuza i ka përmendur Kara, të cili Shkëlzen Berisha e ka akuzuar për shpifje.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb