Instituti i Statistikave rrëzon raportin e OKB për shpopullimin e vendit deri në vitin 2100 duke sqaruar metodologjinë që përdoret. Majlinda Nesturi, Drejtoresha e Statistikave në INSTAT sqaron se ndryshe nga metodologjia e përdorur nga organizata e kombeve të bashkuara për emigracionin, ky institucion përdor komponentin e emigracionit neto, thënë ndryshe diferenca midis qytetarëve të larguar dhe atyre që rikthehen brenda një periudhe të caktuar.

“Shifrat tregojnë që numri i emigrantëve që largohen nga vendi ka ardhur në rënie. Në vitin 2011 nga 55 mijë shqiptarë mijë që linin vendin ka arritur në 38 mijë në 2018. Shoh një trend pozitiv të të kthyerve që do të thotë numri i shqiptarëve që kthehen në vend po rritet dhe ne për të parë impaktin në popullsi nuk mund t’i referohemi vetëm emigrantëve apo imigrantëve duhet patjetër që këto të dy elementë t’i shikojmë të bashkuar dhe të shikojmë komponentin e emigracionit neto, pra diferenca midis emigrantëve dhe imigrantëve”, deklaron Nesturi.

INSTAT pranon se ka edhe një rënie të lindshmërisë. Majlinda Nesturi thotë se INSTAT ka projeksionet e veta për një periudhë 30-vjeçare, interval që siguron statistika më të besueshme.

“Projeksionet e popullsisë ndërtohen për një periudhë 30-vjeçare. Ne na ndodhi aktualisht, kemi kryer projeksionet e popullsisë, bazuar në censusin e vitit 2011 dhe ato janë bërë publike në vitin 2014 dhe realiteti tregoi që në supozimet e bëra për këto projeksione nuk ishin të duhurat. Elementi që ndryshoi ishte lindshmëria. Ne e kishim projektuar lindshmërinë të ishte pak më e lartë sesa realiteti tregoi”, u shpreh Nesturi.

Ajo tregoi edhe projeksionet e INSTAT për popullsinë deri në vitin 2031.
“Në vitin 2031 ne projektojmë që popullsia të jetë 2.92 mln banorë. Sipas variantit të ulët që supozon nëse lindshmëria do të ulet dhe emigracioni do të rritet INSTAT projekton që në vitin 2031 popullsia të shkojë 2.59 mln. Ndërkohë që varianti i mesëm që është midis dy varianteve të lartë dhe të ulët dhe që ne sugjerojmë që është edhe variant më i mundshëm, në vitin 2031 popullsia e Shqipërisë nga 2.86 mln që është në 2019 do të shkoj në 2.75 mln”, tha Nesturi.
Një ditë më parë Organizata e Kombeve të Bashkuara raportoi se sipas projeksioneve të saj, në vitin 2100 Shqipëria rrezikon të mbetet një vend me vetëm 512 mijë banorë. Sipas kësaj organizate pas 80 vjetësh në këtë vend do të jetojnë afërsisht 1/6 e popullsisë aktuale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb