Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë e Akademisë Profesionale “ELITA”, me temë “Shpopullimi i Shqipërisë dhe sfidat me të cilat po përballen të rinjtë”, duke ndarë me ta të dhëna dhe qëndrime mbi sfidat dhe zgjidhjet e mundshme për ta ndalur këtë fenomen tepër shqetësues.

Në fjalën e Tij drejtuar të rinjve të pranishëm, Kreu i Shtetit u shpreh:

“Shpopullimi i Shqipërisë është drama më e madhe, që po i ndodh vendit. Ndaj dhe e pranova ftesën tuaj për të bashkëbiseduar mbi këtë fenomen alarmues, në përmasa tepër shqetësuese dhe të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër.

Do t’i referohem disa studimeve të besueshme. Anketimeve të kryera me të rinj dhe të reja të moshës 14-30 vjeç, gjatë muajve Mars-Prill 2021, nga Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN) me mbështetjen e Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA/ECPAT) Shqipëri dhe Koalicioni për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri (ACE).

Po kështu do t’i referohem, një studimi tepër serioz të Prof. Russell King, Drejtor i Qendrës ‘Sussex’ për Studimin e Emigrimit, që përfshin studiues dhe demografë nga më të mëdhenjtë në botë, lidhur me fenomenin e emigrimit.

Sipas studimit të Institutit për Studime Ekonomike Ndërkombëtare të Vjenës, gjatë 10 viteve të fundit janë larguar nga Shqipëria mbi 500 mijë qytetarë. Shumë herë më tepër, krahasim me vendet e rajonit, Serbinë, Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Nëse për 1000 banorë nga Shqipëria emigrojnë 12 banorë, nga Kosova emigrojnë 3,3, nga Maqedonia e Veriut 2,3, nga Serbia 1, nga Mali i Zi 0.7 dhe nga Bosnja Hercegovina 0.6 persona.

Pra për ta kuptuar edhe më qartë, në qoftë se për 1000 banorë, nga Serbia largohet 1, nga Shqipëria largohen 12.

Nëqoftëse për 1000 banorë nga Bosnja largohet 1, nga Shqipëria largohen 18, nga Mali i Zi largohet 1, nga Shqipëria largohen 17, nga Kosova largohet 1, nga Shqipëria largohen 4.

Po kështu sipas Agjencisë së BE për Azilin dhe sipas Zyrës Europiane të Azilantëve (EASO), në raport me popullsinë, Shqipëria është e para për azilkërkuesit në BE, me 59 aplikime për çdo 10 mijë banorë.

Nga ana tjetër, largimi në masë i të rinjve, si dhe ulja e numrit të lindjeve kanë bërë që të ulet ndjeshëm numri i popullsisë, jo vetëm kaq, po të rritet ndjeshëm mosha mesatare.

Sipas INSTAT, në 1 janar 2021, popullsia e Shqipërisë rezulton 2,83 milionë banorë dhe krahasuar me vitin 2011, është ulur me 2,7 %.
Ndërkohë që, po sipas INSTAT mosha mesatare e popullsisë shqiptare është rritur në 10 vitet e fundit, pra nga 1 Janar 2011 në 1 Janar 2021, në 38 vjeç.
Jo vetëm, po plakemi me ritme të shpejta, por projeksionet janë të frikshme, nëse ky fenomen nuk ndalohet tani dhe nuk ndalohet në mënyrë drastike.

Me këtë ritëm, sipas raportit të OKB-së, është projektuar që mosha mesatare mund të shkojë në 61.5 vjeç në vitin 2100.
Nëqoftëse kemi qenë përpara disa vitesh, vendi me moshën më të re, nëse vazhdohet kështu, do të jemi vendi me moshën më të lartë në rajon.

Prandaj e kam theksuar, kemi të bëjmë me shpopullim dhe jo me emigrim.
Sipas ‘Gallup-it’, largimi i të rinjve nga vendi kap shifra deri në 79%. Shqipëria është në krye të listës, nga ku largohen të rinjtë dhe është e para në Europë nga ku të rinjtë duan të ikin për të studiuar, por edhe për të punuar jashtë shtetit.

Mbi 90% e të rinjve të intervistuar, shprehen se e kanë menduar seriozisht të largohen nga Shqipëria, si për një jetë më të mirë, për një arsimim më cilësor apo një punësim më të mirë.

Fenomen tjetër mjaft problematik është largimi i intelektualëve dhe i forcave më të kualifikuara, më krijuese të vendit.
Nëse në vitin 2007, mbi 70% e emigrantëve potencialë ishin ata me arsim të ulët, ata me arsim të lartë ishin nën 10%. Ndërsa, sot kemi të kundërtën.
Është shumë herë më i lartë numri i atyre që largohen nga Shqipëria, me nivel universitar apo me arsim profesional. Që do të thotë, po largohet truri i vendit dhe forca e kualifikuar punëtore.

Kemi largim masiv të mjekëve, infermierëve dhe personelit shëndetësor edhe pse kemi kaq shumë nevojë, duke qenë se jemi vendi, me numrin më të ulët të mjekëve për banorë, sipas OBSH-së, me 16.47 mjekë për 10 mijë banorë, kur mesatarja e Evropës është 47.6 mjekë për 10 mijë banorë.

Sipas studimit të prof. Rusell King, rreth 94% e të gjithë të rinjve shqiptarë që ndodhen jashtë, në BE, SHBA, apo në Perëndim, nuk dëshirojnë të kthehen në vend, pasi janë të përkushtuar, të vendosur për të vazhduar karrierën dhe jetën, jashtë vendit.

Largimi i shtresës së mesme ka dëmtuar shtyllën kurrizore të jetës shoqërore dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Sepse për fat të keq, edhe nga polarizimi social apo mungesa e politikave përfshirëse sociale, kjo shtresë është dëmtuar dhe varfëruar. Ndaj e ndodhur në kushtet e vështira të mbijetesës, ka emigruar dhe tenton të emigrojë edhe familjarisht.

Kjo ka sjellë ndikim negativ në tregun e punës, duke sjellë mungesë të fuqisë punëtore të specializuar.

Në një sondazh të fundit, Instituti Shqiptar i SME-ve (Sipërmarrja e Vogël dhe e Mesme) gjeti se rreth 61% e ndërmarrjeve kanë pasur punonjës të larguar për arsye emigracioni, gjatë viteve të fundit.

Kjo ka sjellë rënie të aktivitetit të kompanive dhe pamundësi nënshkrimi kontratash me investitorë të huaj, për shkak të pamundësisë për të realizuar planin apo objektivat ekonomike, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore.

Sipas Forumit Ekonomik Botëror, biznesi rrezikohet nga emigracioni më shumë se çdo faktor tjetër, që mund të vijë nga masat fiskale apo faktorë të tjerë të brendshëm, pra politikave të ndryshme qeveritare, apo ekonomike.

Arsimi e ndjen edhe më shumë fenomenin e shpopullimit sepse çdo vit është e qartë se kemi një ulje drastike të numrit të nxënësve, sepse kemi një ulje drastike të numrit të lindjeve, sepse ky fenomen ecën zinxhir, në të gjithë aspektet e tjera.

Kemi gjithnjë e më pak nxënës që ndjekin arsimin para-universitar dhe të gjitha ciklet.

Sipas INSTAT-it, vitin e fundit shkollor është shënuar një ulje prej 4,4 % e regjistrimit të nxënësve, krahasuar me një vit përpara.

Kjo do të thotë më pak shkolla profesionale, më pak profesionistë, më pak studentë, por dhe në tërësi më pak forcë pune të re.

Emigracioni në shifra të larta po shkakton zbrazjen e auditorëve të universiteteve në vend dhe fakt është që janë mbyllur me dhjetëra degë studimi në Universitete të ndryshme të vendit.

Është një situatë vërtet shumë e vështirë dhe e paprecedentë, që kërkon një ndryshim total të të gjithë politikave të zhvillimit, të punësimit, të arsimit dhe të krijimit të një sistemi shpresëdhënës, dhe jo shpresëlëndues, apo shpresëvrasës për të rinjtë dhe për të gjithë.

Sipas anketimit të bërë nga Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN), 70% e të rinjve zgjedhin si problematikën më shqetësuese të tyre papunësinë. Sipas 81% të të rinjve të anketuar në mbarë vendin, Qeveria nuk ka bërë asgjë për të reduktuar nivelin e lartë të papunësisë së të rinjve.

Ndërsa në vend të dytë e të tretë të problematikave më shqetësuese të të rinjve, vijnë me 42.9%, arsimi jocilësor e jogjithëpërfshirës, dhe po me 42,9% mungesa e mbështetjes institucionale ndaj të rinjve e të rejave në mbarë vendin.

Ndërkohë që dy ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e dëshirës së të rinjve për t’u larguar nga vendi janë papunësia me 79%, dhe arsyeja e dytë është edhe rrogat e ulëta me 77%, të të rinjve të pyetur.

Mungesa e investimeve dhe klima e papërshtatshme e biznesit , dihet që sjellin uljen e zhvillimit ekonomik dhe mungesën e vendeve të reja të punës dhe vendeve të mirëpaguara.

Po të kemi në konsideratë, raportin e fundit të “Doing Business”, të Bankës Botërore, për fat të keq, vendi ynë renditet i fundit në rajon dhe i 82-ti në botë, Maqedonia e 17-ta dhe Kosova e 57-ta, për klimën e biznesit.

Ndërkohë që Shqipëria, normalisht i ka mundësitë më të mira edhe se Maqedonia e Veriut dhe Kosova, sepse ka dhe pozicionin më të favorshëm, por ka edhe hapësirë bregdetare.

Synimi për t’u larguar është një pasqyrim i gjendjes reale, aspak optimiste, ekonomike, sociale dhe politike padyshim, që ka dëmtuar kapitalin më të rëndësishëm që ka vendi, që është kapitali njerëzor.

E sidomos në palcën e tij, tek rinia, të rinjtë e talentuar dhe të arsimuar, të cilët duhet të jenë shpresa më e madhe për vendin dhe shoqërinë dhe për çdo familje, e cila sakrifikon dhe investon për edukimin dhe arsimimin e tyre.

Të gjitha këto të dhëna të bazuara në studime tepër serioze dhe të pavarura, na ftojnë për një reflektim të thellë.

Reflektim të të gjithë shoqërisë, por në veçanti të të rinjve për veten e tyre, të cilët nuk duhen të jenë më “viktima” të këtyre politikave dhe të këtij realiteti.

Të rinjtë jo vetëm duhet të thonë fjalën e tyre, por dhe të organizohen, të dëgjohen dhe të ndikojnë për t’u marra vendime të tjera për vendin dhe për të adresuar shërimin e këtyre plagëve, që shkaktojnë këtë fenomen të shpopullimit dhe të largimit të tyre nga vendi.

Në këtë drejtim, unë besoj se ju të rinjtë duhet të luani një rol edhe më të fortë dhe më të madh, sepse dihet që, më e interesuar për ndryshimet është gjithmonë rinia.

Të rinjtë e kanë të ardhmen përpara, ndaj duhet të jenë lokomotiva të ndryshimit, të gjithëpërfshirjes, dhe të një mirëqeverisje, që sjell optimizëm, rritje të qëndrueshme, arsim dhe edukim cilësor, që sjell rritje të pagave dhe pensioneve në mënyrë të vazhdueshme, rritje të mundësive për të përballuar kostot e jetesës.

Jashtë mund të gjesh gjithçka por jo Atdhe. Shqiponjat duhet të kthehen në folenë e tyre.”, – u shpreh Kreu i Shtetit.
Në përfundim të bashkëbisedimit, Drejtori i Akademisë Profesionale “ELITA” i akordoi Presidentit Meta Titullin “Akademik Nderi i Akademisë Profesionale ‘ELITA’”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb