Nga: ZONJA KATERINA

4 patëllxhanë (sa më të rrumbullakët)
500 gr mish qingji
2 domate
1 spec të kuq
3-4 speca jeshil djegës
3-4 thelpinj hudhër
1 kokërr qepë
1 lugë gjalpë
2-3 lgj vaj ulliri
1 lugë salcë domate
Kripë, rigon
Piper i zi, piper i kuq
Majdanoz për servirje

Patëllxhanët pasi i kemi larë i presim lëkurën një rresht po një rresht jo. Më pas i ndajmë në mes përgjysmë. Pjesën e tulit e presim lehtë me majën e thikës dhe i vendosim patëllxhanët në një tavë të lyer me pak vaj. I spërkasim me vaj ulliri dhe kripë dhe i vendosim të piqen në furrë në 200 gradë për 15-20 minuta.

Ndërkohë përgatisim salcën. Në një tigan të thellë që nuk ngjit hedhim gjalpin dhe vajin e ullirit. Shtojmë mishin e prerë në kubikë të vegjël spërkatur me kripë dhe piper dhe e kaurdisim derisa mishi të ndryshojë ngjyrë. Shtojmë më pas qepën të grirë imët dhe vazhdojmë kaurdisjen. Pasi qepa të jetë zbutur shtojmë specat dhe domatet të prera në kubikë të vegjël (pa cipë dhe fara). Vazhdojmë kaurdisjen për 2-3 minuta dhe më pas shtojmë salcën e domates dhe 1 filxhan ujë të ngrohtë. Rregullojmë shijen me kripë, piper dhe rigon dhe e lemë salcën për rreth 10 minuta të marrë valë dhe të lidhet.

Pasi patëllxhanët të jenë pjekur i nxjerrim nga furra dhe me majën e një luge ose piruni shtypim pjesën e brendshme të tulit duke e ngjeshur. Në hapësirën e krijuar vendosim mbushjen e përgatitur me mish, domate dhe speca. I vendosim përsëri patëllxhanët e mbushur në furrë për 20-25 minuta.

(Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb