Zgjedhjet e 25 Prillit ishin një festë për demokracinë shqiptare. E diela ishte një ditë me diell, kur njerëzit qetësisht iu drejtuan kutive të votimit për të shprehur vullnetin e tyre të lirë.

Dua të rendis disa mesazhe kryesore që mendoj se në këto zgjedhje përcillen nga rezultati i verdiktit të qytetarëve. Megjithëse rezultati nuk është përfundimisht zyrtar, mund të lexojmë qartë disa perfundime të përgjithshme, pasi një analizë më e hollësishme do kohë.

Këto zgjedhje u karakterizuan nga një pjesëmarrje e lartë në votime, ku siç u kuptua është konfirmuar qartë një mbështetje dhe një refuzim. Një mbështetje për herë të tretë për kryeministrin Rama dhe një refuzim për herë të pestë për kundërshtarët e tij. Me këtë të dytën kam parasysh pamundësinë e alternativës konkurrente për të mbërritur në kuotën që do iu mundësonte atyre krijimin e një shumice për të qeverisur vendin.

Risia e dytë që sollën këto zgjedhje ishte formula e re zgjedhore. Sistemi i ri elektoral iu mundësoi qytetarëve hapësirën e shprehjes së preferencës për kandidatin që vlerësojnë se i përfaqëson dhe mbron më mirë interesat e tyre. Kjo do të marrë kuptim të plotë pas numërimit të votave të kandidatëve, një proces i cili do fillojë menjëherë sapo të jetë çertifikuar plotësisht rezultati i subjekteve politike.

Gjithashtu, për herë të parë në një fushatë elektorale dëgjuam që liderët politikë të shprehen për dorëheqje në rast humbje. Këtu kam parasysh kryeministrin Rama, Presidentin Meta dhe kryetarin e Partisë Demokratike. Ky i fundit, sigurisht nuk e shprehu aq qartësisht sa dy të parët.

Qetësia që mbizotëroi përgjatë procesit të votimit dhe numërimit ishte më e madhe se fushata elektorale, që u zhvillua në një klimë të polarizuar si pasojë e retorikës konfilktuale të Presidentit të Republikës, njëherësh edhe kryetar de facto i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Megjithatë, konfirmimi që bënë vetë krerët opozitarë pas një procesi që siç e tha dhe Presidenti meritonte “një dhjetë me yll”, nënvizon faktin se këto zgjedhje ishin vërtet më të mirat e zhvilluara ndonjëherë. Gjithashtu, edhe pranimi i rezultatit të deritanishëm, qoftë edhe nëpërmjet heshtjes së kuptueshme, është gjithashtu një lajm për t’u përshëndetur.

Por çfarë duhet pritur në vijim? 

E para, duhet që mazhoranca e rikonfirmuar për një mandat të tretë, të vazhdojë fort punën dhe zbatimin e projekteve që duhet të transformojnë realitete ende të vështira, për të siguruar që reformat e nisura të thellohen dhe qytetarët të prekin realisht ndryshimet e shumëpritura. Kjo mazhorancë duhet ta lexojë me përgjegjësinë më të lartë votën e sovranit, duke respektuar edhe votën kundër, si shprehje e një maturie për të vijuar shërbesën me përkushtim maksimal dhe barazi kundrejt çdo shqiptari, që e ka mbështetur ose jo.

Gjithashtu, duhet që mazhoranca të garantojë një atmosferë besimi dhe bashkëpunimi me opozitën, si shenjë e një emancipimi të domosdoshëm që duhet të konsolidojë më tej klimën bashkëpunuese e dobiprurëse mes aktorëve politikë dhe institucionalë, në funksion të përmbushjes së qëllimeve madhore që kanë rëndësi kombëtare.

Nga ana tjetër, opozita duhet patjetër të analizojë rritjen eb mbështetjes me disa mandate por edhe mosmarrjen e besimit të shumicës. Njëherësh, ajo duhet të rikthehet me konstruktivitet në angazhimin dhe misionin e saj, gjithmonë brenda kuadrit institucional, duke mbyllur përgjithmonë epokën absurde të funksionimit jashtë sistemit, e cila në fakt i rezultoi një përpjekje e dështuar me sukses.

Mendoj se fillimi i një procesi të vërtetë riorganizimi dhe freskimi për opozitën, do të sillte një përfitim politik jo vetëm për opozitën, por edhe për vendin që meriton të ketë një opozitë dinjitoze. Kjo do dëshmonte se opozita do dijë të ngrihet në nivelin e gjykimit të sovranit, në rastin që do të zgjedhë rrugën që sfidat e së ardhmes t’i ballafaqojë me reflektimin dhe pjekurinë e duhur.

Shqipëria në këto zgjedhje vendosi qartësisht për të ardhmen e saj. Tani secili nga ne ka detyrimin të respektojë aspiratën e shumicës, si e vetmja rrugë për të ecur bashkarisht me ritëm më të shpejtë në drejtim të progresit të përgjithshëm, ku asnjë shqiptar nuk duhet të ndihet i përjashtuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb